Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mbrojtja e territorit/ Koçiu: Kemi evidentuar 252 subjekte në shkelje, 12 milionë euro gjoba për abuzime me ndërtimet

schedule15:59 - 26 Shkurt, 2026

schedule 15:59 - 26 Shkurt, 2026

TIRANË- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, deklaroi se qeveria është e vendosur të ndëshkojë çdo rast abuzimi me territorin dhe shkelje të lejeve të ndërtimit.

Ajo theksoi se institucionet përgjegjëse kanë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, ndërsa janë prishur 447 ndërtime apo shtesa të realizuara pa leje.

Sipas ministres, krahas masave për prishjen e objekteve, janë vendosur edhe masa administrative me gjoba që kapin vlerën totale prej 12 milionë eurosh.



“Jemi duke dërguar mesazh të qartë që: Abuzimi me territorin nuk do mund të shpërblehet më. Kemi evidentuar 252 subjekte, që kanë shkelur lejen e ndërtimit. Janë prishur 447 ndërtime apo shtesa pa leje dhe janë vendosur masa administrative gjobë në vlerën 12 milionë euro”, theksoi ministrja.

Fjala e plotë:

Mbrojtja e interesit publik dhe goditja pa asnjë kompromis e çdo fenomeni të paligjshmërisë dhe çdo fenomeni që e cenon interesin publik është dhe mbetet themeli i punës tonë të përbashkët. Dua ta nis pikërisht me mbrojtjen e territorit, si shembulli më domethënës i këtij angazhimi ku autoriteti i ligjit duhet të jetë i padiskutueshëm. E kemi filluar me operacionin e ligjshmërisë në territor, i cili tashmë ka një karakter të përhershëm. Me rishikimin e kornizës ligjore në muajin tetor të vitit që shkoj dhe me mundësinë e konfiskimit të shtesave pa leje për përdorim social, jemi duke dërguar në fakt një mesazh të qartë që është abuzimi me territorin nuk do të mund të shpërblehet më.

Kemi evidentuar deri më tani 252 subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit. Janë prishur 447 ndërtime apo shtesa pa leje dhe janë vendosur masa administrative/ gjobë me vlerën rreth 12 milion euro. Por mbrojtja e territorit në fakt nuk është vetëm prishje e ndërtimeve pa leje, është mbi të gjitha mbikëqyrje, monitorimim në kohë reale dhe pa diskutim është dhe cilësia e ndërtimit, respektimi i hapësirave të përbashkëta, mosdevijim nga projekti, mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe mbi të gjitha e investimit të tyre.

Në këtë kuadër kemi punuar për një paketë masash ligjore, që do ta transformojnë cilësisht punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme me komunitetin në të gjithë vendin dhe me mënyrën sesi Ministria e Punëve të Brendshme qaset në territor.

Së pari, kemi ndryshimin ligjor sa i përket harmonizimit të punës së IKMT së bashku me inspektoratet e mbrojtjes së territorit në nivel vendor, duke krijuar një strukturë të unifikuar, kontroll dhe mbikëqyrjeje, me standarde të njësuara në të gjithë territorin duke u përpjekur gjithnjë e më shumë të vendosim bazat që operacioni i kthimit të ligjshmërisë në territor të bëhet njëherë e përgjithmonë. Jemi duke fuqizuar edhe rolin e prefektit si një institucion kyç dhe i domosdoshëm kur vjen puna te koordinimi i institucioneve në nivel vendor, përmes ndryshimeve në ligjin “Për Prefektin” jemi duke sjellë një kompetencë të shtuar sa i përket rolit që duhet të ketë institucioni i prefektit sidomos në mbikëqyrjen e territorit. Situatat e përmbytjeve të muajit janar apo edhe vera që shkoi na tregoi sa rol kyç ka prefekti kur vjen puna te emergjencat civile, te evakuimet e mbi të gjitha, te vlerësimet e dëmeve. Zgjerimi i kompetencave si dhe shtimi i dy Prefektëve Detarë, jemi të sigurt që do të bëjë që prefektit të japë kontribut për rritjen e sigurisë, qetësisë, rendit dhe ligjshmërisë në territor.

Nuk mund të pretendohet që siguria maksimale mund të realizohet pa përfshirjen e qytetarëve në këtë proces dhe një rol domethënës në këtë pikë ka edhe një institucion kyç që është Policia Bashkiake. Prandaj pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore është edhe ligji “Për Policinë Bashkiake” si dhe transformimi i Policisë Bashkiake në një strukturë profesionale, që do të rrisë standartet, sigurinë në komunitet dhe funksionon si krah i sigurt mbështetës për Policinë e Shtetit. Policia Bashkiake do të vijojë të mbetet pjesë organike e bashkive, por tashmë do të ketë një bërthamë qendrore, që do të garantojë rekrutimin transparent, trajnimin e vazhdueshëm, vlerësimin, perfomancën dhe standarde të njëjta në gjithë vendin. Te tre këto akte ligjore kanë kaluar në procesin e konsultimit publik. Ne do të kryejmë edhe një mbledhje të fundit në këshillin konsultativ dhe shumë shpejt do të ndjekin rrugën e nevojshme për miratim në Kuvend.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe një arritje shumë të rëndësishme që është projekti “Smart City” apo qytetit inteligjent. Janë 5000 kamera inteligjente, që do të instalohen në rrugët kryesore, janë mbi 20 shkolla të cilat do të monitorohen. Të gjitha këto për të rritur e garantuar edhe më shumë standardin dhe sigurinë e komuniteteve tona.

Do të vazhdoja pak edhe te cikli i reformave të ligjshmërisë, i cili nuk mund të jetë i plotë nëse nuk nisemi e godasim zemrën e paligjshmërisë, që janë paratë e asetet e krimit. Një vit më parë nga puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese kemi sekuestruar dhe konfiskuar një vlerë, e cila më parë ishte e paimagjinueshme. Janë 65 milionë euro asete e pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, të cilat nga njëra anë është mirë që kemi realizuar një mbledhje e grumbullim të tillë falë edhe kapaciteteve tona reale e viturtuale, por nga ana tjetër është e rëndësishme të theksojmë këtu sa e domosdoshme është bashkëpunimi ndërinstitucional. Një gjë që duhet ta vlerësojmë këtu është puna dhe përpjekja që jemi duke kryer kur vjen puna te transformimi i tyre në një mbështetje konkrete për komunitetet në nevojë. Kemi ngritur një mekanizëm që na jep një kornizë të qartë ligjore dhe që i mobilizon të gjithë këto asete në funksion të komuniteteve vulnerabël.

Konkretisht, në 2025-n, kemi sekuestruar gjithsej 726 pasuri. Prej tyre, janë konfiskuar 64 pasuri, të cilat kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me karakter social dhe me një impakt të drejtpërdrejt në komunitetet vulnerabël. Gjithashtu janë vendosur në përdorim të institucioneve publike, rreth 20 institucione publike kanë përfituar nga këto asete me qëllim përmirësimin dhe organizimin e mëtejshëm të punës së tyre. Jemi duke punuar për bazën ligjore, për t’i transferuar pronat e konfiskuara dhe sekuestruara edhe në dobi të të gjithë atyre familjeve që kanë humbur familjarët e tyre, punonjës të policisë, të rënë në krye të detyrës, duke iu garantuar atyre një mbështetje të mëtejshme. Sepse besojmë që drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për kriminelët, por edhe solidaritet për ata që sakrifikojnë për mbrojtjen e ligjit dhe jetës së qytetarëve.

Dua të përmend edhe Regjistrin Kombëtar të Adresave, që patjetër, biem të gjithë dakord që është një domosdoshmëri jetike e praktike. Kemi nisur një proces të plotë rishikimi dhe përmirësimi të sistemit duke koordinuar ngushtësisht me bashkitë, si dhe me aktorët kryesorë në përditësimin e adresave në terren. Janë identifikuar disa problematika që lidhen me kufijtë hartografikë dhe me standardizimin e sinjalistikës në nivel vendor. Eshtë një proces me disa hapa teknikë, institucionalë dhe ligjorë i cili është duke u ndjekur në përditshmëri.Jam besimplotë që në një kohë shumë të shpejtë do të jemi në gjendje ta vendosim në funksionim Regjistrin Unik të Adresave, duke i dhënë territorit qartësinë dhe modernizimin që kërkon kjo dekadë.

Në fund dua ta mbyll me një lajm të mirë kemi mundësuar që të bëjmë një rritje të mëtejshme pagash të punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë 720 efektivë të Policisë së Shtetit ata që quhen trupat operacionale apo trupat elitë, të cilët do të marrin një rritje të mëtejshme të pagës së tyre. Bëhet fjalë për forcat RENEA, Forcat Operacionale dhe për Forcën Kombëtare të Sigurisë, të cilët gjithashtu përveç rritjes së pagave që ishte në fillim të vitit do të marrin një mbështetje të mëtejshme duke e çuar pagën nga 1600 euro për gradën inspektor në 2300 euro për gradën kryekomisar apo drejtues.

E gjithë kjo në fakt është përpjekje e vazhdueshme, e cila duhet të vijë në bashkëpunim me të gjitha institucionet. Ministria e Punëve të Brendshme edhe nga emërtesa e saj do duhet që të koordinojë me shumë institucione si në nivel qendror edhe vendor. Faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!