Jasharët e refuzojnë presidencën. Për ABC News, Murat Jashari konfirmoi se ka patur ftesë për këtë pozitë, por për shkak të peshës që mban në supe historia e familjes së tij në luftën përballë agresorit serb dhe themeleve që ndërtuan për Kosovën e lirë, nuk do ta pranoi një propozim të tillë, duke i qëndruar larg politikës.
“Po, në vazhdimësi kam pasur kërkesa për këtë pozitë, por për shkak të emrit dhe familjes e kam refuzuar një pozitë të tillë”, ka thënë ai.
Murat Jashari gjithsesi e ka një koment për qëndrimin e familjes së tij përballë zhvillimeve në Kosovë.
“Moto e jonë ka qenë dhe mbetet: ne ju takojmë të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë shqiptarët janë tanët!”, tha Murat Jashari.
Ka qenë VV që e ka hedhur në publik idenë e një presidenti nga familja Jashari. Madje jo më larg se paraditen e së mërkurës, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca deklaroj për media se emri i familjes Jashari në këtë post ka sjell konsensus të gjere shoqëror, duke ju shmangur edhe pyetjes nëse Vjosa Osmani do të jetë po ashtu kandidate, por familja Jashari edhe njëherë qëndroj mbi politikën.
Mbrëmjen e të dielës Albin Kurti ka pranuar publikisht se ka bërë një vizitë në familjen Jashari, por me lëvizjet e fundit, emra si kandidatura të mundshme përpos presidentes aktuale Vjosa Osmani dhe zëra që mbështesin një kandidaturë të Ramush Haradinajt, nuk ka, duke ngritur dyshime se gjasat që vendi të shkoj përsëri në zgjedhje, ekzistojnë.
Afati i fundit për të votuar në Kuvend një emër të ri në krye të shtetit është 4 marsi.


