Në momentin kur ndodhi incidenti me armë zjarri në rezidencën Mar-a-Lago në Florida, Presidenti Donald Trump nuk ndodhej në pronë.
Shërbimi Sekret konfirmoi se asnjë person nën mbrojtje nuk ishte prezent në kompleks në kohën e ngjarjes. Presidenti ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Sipas autoriteteve, Trump kishte kaluar mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet, ku së bashku me bashkëshorten Melania Trump organizoi darkën vjetore me guvernatorët amerikanë, një aktivitet tradicional me pjesëmarrje dypartiake.
Edhe zonja e parë ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë incidentit.
Rezidenca Mar-a-Lago, e cila shpesh shërben si vendqëndrim fundjave për presidentin, ishte nën mbikëqyrjen e zakonshme të Shërbimit Sekret, por pa praninë e ndonjë personi të mbrojtur në atë moment.

U raportua i zhdukur, përfundoi i vrarë në Mar-a-Lago! Çfarë dihet për 20-vjeçarin që hyri me armë në rezidencën e Trump?
Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, bëri të ditur se i dyshuari ishte rreth të 20-ave dhe me origjinë nga Karolina e Veriut. Sipas tij, familja e kishte raportuar të zhdukur disa ditë më parë.
Hetuesit besojnë se i riu ishte larguar nga Karolina e Veriut dhe kishte udhëtuar drejt jugut, përpara se të mbërrinte në Palm Beach. Gjatë rrugës, ai dyshohet se kishte siguruar një armë gjahu. Kutia e armës u gjet më vonë në automjetin e tij.
Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë në perimetrin e Mar-a-Lago përmes portës veriore, duke kaluar në momentin kur një tjetër automjet po dilte nga kompleksi.
FBI-ja, e cila po drejton hetimin, vijon të analizojë provat për të kuptuar motivet dhe lëvizjet e të riut përpara incidentit fatal.


