Ka krime që shënjojnë një qytet. Ka krime që tronditin një familje, duke u lënë përjetësisht një plagë që nuk mbyllet. Por ka dhe krime që mbesin të hapura për dekada, kur autori nuk merr ndëshkimin sipas ligjit.
Në pranverën e vitit 1997, një derë shtëpie u hap me forcë në Gramsh.
Brenda ishin prindërit me vajzën adoleshente dhe një djalë 9 vjeç.
Asnjëri prej tyre nuk ishte objektiv i dy personave të armatosur. Ata po kërkonin dikë tjetër për hakmarrje. Vëllain e kryefamiljarit.
Por kur përgjigjja nuk erdhi, nuk u kursye as jeta e një fëmije. Djali 9-vjeçar u qëllua me plumb në kokë në sy të prindërve dhe motrës, brenda shtëpisë së tij.
Agresorët ishin 2, por vetëm njëri qëlloi. Autori, Kostandin Nishku, do të dënohej fillimisht me vdekje. Më pas me burgim të përjetshëm.
Një vendim që dukej fundi i historisë. Por në të vërtetë ishte vetëm fillimi i i një arratisje të gjatë. Plot 29 vjet.
E kur familjes i mbeti vetëm varri e vendimet e gjykatave u arkivuan, i dënuari u zhduk.
Vitet kalonin, dosja plakej e fotografia e vetme bardh e zi e autorit, që Policia kishte, sa vinte e zbehej dita ditës. Pa gjurmë gishtash e pa asnjë informacion të saktë për vendndodhjen e tij.
Derisa një ditë, mijëra kilometra larg vendit të krimit, një burrë me emër tjetër aplikonte për pasaportë.
Ai jetonte, lëvizte lirshëm, pajisej me dokumente biometrike, madje kishte krijuar edhe familje.
Si një qytetar i zakonshëm, por me një emër të ri, të krijuar nga hiçi.
A ishte harruar krimi? A kishte dështuar shteti? A mund të fshihet një njeri përgjithmonë pas një identiteti të ri?
Për shumë kohë, përgjigjja dukej po.
Derisa dikush vendosi të rihapte dosjen. Një oficer i Interpol Tiranës këmbënguli. U nis nga një instikt, mbi një fotografi të dyshimtë.
Për 9 vjet ai nuk u dorëzua. Dhe në fund një kërkim ringjalli drejtësinë.
Kjo është historia e një fëmije që nuk u rrit kurrë. E një të kërkuari që jetoi për gati 3 dekada në arrati. Dhe e disa njerëzve që vendosën të mos dorëzohen.
KRIMI QË NISI GJITHÇKA
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Ne në punën e përditshme merremi shpesh me dosje të vjetra. Marrim një dosje të vjetër, e hapim, shohim nëse ka diçka për t’u shtuar, ka për t’u kryer ndonjë veprim. Në rastin konkret ka qenë një iniciativë e imja për ta marrë këtë dosje dhe për t’u thelluar më tepër në të. Për të parë nëse kishim diçka që mund të bënim më tepër, pasi këto dosjet, që janë me burgim të përjetshëm kanë një lloj interesi më të lartë nga ana jonë dhe rezultati ishte ky”.
Më 19 mars 1997, në Gramsh, hakmarrja trokiti në një derë ku nuk duhej të hynte kurrë. Kostandin Nishku, në kërkim të vëllait të Kujtim Bregut për një konflikt të përgjakshëm të viteve më parë, u kthye për herë të dytë në atë shtëpi, pasi një ditë më parë kishte lënë ultimatum: “Ke kohë deri nesër.” Të nesërmen, përballë një familjeje të pafuqishme dhe një fëmije 9-vjeçar që nuk kishte asnjë lidhje me armiqësinë e të rriturve, arma u drejtua aty ku dhimbja do të ishte më e madhe. Jerelsi Lumi, oficeri i Interpolit, që ka gjurmuar të kërkuarin për vite me radhë, thotë se veprimi ishte i qëllimshëm. Një akt i paramenduar, i kryer me dashje, që goditi pikërisht për shkak të cilësisë së veçantë të viktimës, një të mitur, siç e përcakton neni 79/a i Kodit Penal. Ajo që ndodhi nuk ishte vetëm një vrasje, por kulmi i një logjike hakmarrjeje që kaloi çdo kufi njerëzor, duke lënë pas një familje të shkatërruar dhe një plagë që koha nuk e mbylli kurrë.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Më datë 19 mars 1997, ky shtetas, bashkë me shtetasin Roland Kotorri, kanë shkuar në banesën e shtetasit Kujtim Bregu dhe kanë kërkuar vëllain e Kujtimit, Veli Bregun, i cili në vitin 1993 i kishte vrarë vëllain Kostandin Nishkut. Pasi nuk e ka gjetur në banesë Veli Bregun, i ka kërkuar familjarëve të tregonin vendndodhjen e tij dhe pasi nuk ka marrë përgjigje nga familjarët, ka urdhëruar bashkëpunëtorin e tij që të qëllonte mbi fëmijën, mbi djalin 9-vjeçar. Në kushtet kur ai ka refuzuar të kryejë këtë krim, atëherë ai e ka qëlluar vetë me pistoletë, ku dhe ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të fëmijës 9-vjeçar. Që pas kësaj dite është larguar dhe nuk kemi pasur më asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij”.
Pra ajo që ndodhi më 19 mars 1997 në Gramsh, nuk ishte një ngjarje aksidentale. Ishte e qëllimshme. Siç pohon edhe Jerelsi Lumi, koordinator në Sektorin për Personat në Kërkim Ndërkombëtar, në Interpol Tirana, Kostandin Nishku rezulton të ketë vrarë me dashje djalin 9-vjeçar të Kujtim Bregut. Madje këtë ngjarje ai e kishte paralajmëruar edhe një ditë para se të ndodhte.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Patjetër… Ka shkuar në mos gaboj, edhe një ditë më përpara në banesën e Kujtimit dhe i ka thënë që ke kohë deri nesër të më tregosh se ku është vëllai yt. Të nesërmen pastaj ka shkuar kur ka ndodhur dhe ngjarja dhe krimi makabër”.
Autori i dyshuar i ngjarjes është larguar menjëherë pas krimit. Nuk është ndaluar asnjëherë dhe nuk ka dëshmuar kurrë për atë që ka ndodhur. Është hetuar, gjykuar dhe dënuar në mungesë.
Një fëmijë 9 vjeç nuk pati kohë të jetojë. Por ai që e vrau, vijoi jetën e tij pa marrë asnjë përgjegjësi për atë krim. Jetoi, punoi, krijoi familje dhe për 29 vjet nuk i hyri gjemb në këmbë. Ishte arrestuar vetëm një herë në Greqi për qëndrim të paligjshëm, por ishte liruar shumë shpejt.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Kemi pasur të dhëna herë pas here që ky shtetas ndodhej në Greqi, me adresa jo të sakta, sa në Athinë, sa në Pire. Pra informacione të përgjithshme. Dhe informacione që punon në të zezë, në ndërtim, etj. Në vitin 2017, në mos gaboj, është arrestuar për qëndrim të paligjshëm në Greqi, pasi është kapur nga Policia greke dhe nuk ka pasur leje qëndrimi. Por më pas është liruar dhe nuk kam më shumë informacion se si ka vijuar procesi më pas në Greqi. Kishte krijuar familje me ish-bashkëshorten e vet. Kam përshtypjen se duhet të jetë ndarë më përpara nga ish-bashkëshortja dhe kanë një vajzë që duhet të ketë lindur rreth vitit 2017 në mos gaboj”.
Në fakt këto ishin edhe elementët kryesor që i tërhoqën vëmendjen oficerit të Interpolit që u angazhua maksimalisht për zbulimin e këtij personi. Fakti që bashkëjetonte me ish-bashkëshorten, por edhe identiteti i ri që ai kishte krijuar.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Një element ishte që ish-bashkëshortja e këtij shtetasi jetonte në Greqi. Normalisht të shkon mendja që nëse kjo ka shkuar të jetojë në Greqi, një mundësi e mirë është që edhe ish-bashkëshorti i saj, personi në kërkim, duhet të jetë në Greqi. Një pistë ishte kjo që e ndoqëm, fatmirësisht ndodhi që ishte e saktë. Një pistë tjetër ishte profili i ri që kishte krijuar ky shtetasi, edhe pse ishte e vështirë, pasi identitetin e tij e kishte marrë në mënyrë të rregullt le të themi. Pasi kishte një pasaportë të rregullt, dokument të rregullt, numër personal, adresë, çdo gjë. Pavarësisht se hetimet më vonë treguan se i gjithë ky profil ishte krijuar në mënyrë të parregullt. Kjo ishte pista e dytë që na bërë të thelloheshim edhe më tepër”.
DËNIMI ME VDEKJE U KTHYE NË PËRJETËSI
Shtetasi Kostandin Nishku alias Baki Duzha, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 15 gusht 2002, pasi Gjykata e Rrethit Gramsh, me vendimin nr.26, datë 16 qershor 1998, e ka deklaruar fajtor për krimin e vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal dhe është dënuar me vdekje.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.103, datë 10 shtator 1998, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gramsh.
Kolegji Penal i Gjykatës së Kasacionit, me vendimin nr.319, datë 18 nëntor 1998, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës në lidhje me cilësimin ligjor të veprës penale dhe ndryshimin e këtij vendimi dhe atij të Gjykatës së Rrethit Gramsh në lidhje me masën e dënimit, duke vendosur nga “dënim me vdekje”, në “burgim të përjetshëm”.
Sipas drejtorit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi, për gati 13 vite nuk pati asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Vetëm në vitin 2017, përmes informacioneve operative të konfirmuara, u arrit lokalizimi i mundshëm në Greqi. Megjithatë, arrestimi rezultoi i vështirë, pasi i kërkuari nuk kishte gjurmë daktiloskopike në sistem, çka krijoi pasiguri tek autoritetet greke për identitetin e tij, edhe pse pala shqiptare ishte e bindur se bëhej fjalë për të njëjtin person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pëllumb Seferi, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
“Personi që u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, në territorin grek, ishte i akuzuar për një vepër penale të vitit 1997. Vepër penale, për të cilën e kishte dënuar gjykata fillimisht me vdekje, më pas ky dënim u konvertua në burgim të përjetshëm. Është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2002 dhe për një periudhë gati 13-vjeçare nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni në lidhje me lokalizimin dhe identifikimin e këtij personi. Vetëm në vitin 2017, si rezultat i disa informacioneve të marra në rrugë operative dhe më pas të konfirmuara, çuan në lokalizimin e këtij personi. Por që ka qenë e vështirë arrestimi i tij për arsye se, personi, për të cilin ne po flasim, nuk ka pasur gjurmë daktiloskopike. Për këtë arsye, autoritetet greke fillimisht nuk ishin të sigurt që kishin të bënin me të njëjtin person, pavarësisht se ne ishim të bindur që personi, për të cilin ne po shkëmbenim informacion, ishte personi në kërkim ndërkombëtar”.
Pra në vitin 2017 Policia Shqiptare mori sinjalin e parë për vendndodhjen e Kostandin Nishkut, edhe pse Interpol Tirana e kishte në kërkim prej 15 vitesh nga ky moment. Por këtu nisën vështirësitë e para me autoritetet greke. Për ata nuk mjaftonte vetëm bindja se personi që kishin kapur ishte i njëjti person me atë që kërkohej nga drejtësia shqiptare. Një fotografi e tij bardh e zi e vitin 1997, e tregonte shumë ndryshe nga si ai kishte ndryshuar për 20 vjet.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Drejtoria e Interpolit si detyrë funksionale ka identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që janë në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i punëve të përditshme kemi konstatuar dosjen e shtetasit Kostandin Nishku, i cili për një kohë të gjatë, që prej vitit 2002 ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vepër shumë të rëndë dhe për këtë është dënuar fillimisht me vdekje nga Gjykata e Elbasanit, dënim i cili më pas është ndryshuar dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Që prej kryerjes së veprës penale e deri në vitin 2017 nuk kemi pasur informacion mbi vendndodhjen aktuale të këtij shtetasi. Në vitin 2017 na vjen një informacion nga Interpol Athina, se një shtetas, i cili bashkëjeton me ish-bashkëshorten e Kostandin Nishkut, ishte ndaluar për një vepër të kryer në Greqi dhe dyshohej se ishte shtetasi në kërkim, ku dhe na është dërguar një foto e tij. Nga ana e Drejtorisë së Interpolit i është dërguar fotoja strukturave të Drejtorisë Vendore, nëse kemi të bëjmë me të njëjtin shtetas. Nga ana e strukturave vendore na është konfirmuar se kemi dyshime për të njëjtin person, por autoritetet greke vetëm me një konfirmim të tillë nuk kanë mundur të vijojnë me arrestimin provizor të këtij shtetasi dhe që prej asaj kohe çështja kishte ngelur pezull”.
Pas një periudhe 20-vjeçare që nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e Kostandin Nishkut, u desh të kalonin edhe 9 vite të tjera që autoritetet greke të bindeshin. Ai nuk kishte ndryshuar vetëm fizikisht, por kishte ndryshuar edhe identitet.
NJERIU QË U BË TJETËR
Kostandin Nishku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana 5 vite pas vrasjes së 9-vjeçarit në Gramsh. Më 1 qershor 2017, zyra homologe Interpol Athina, ka dërguar për identifikim një foto të një personi, të quajtur Hariz Vjeri, lindur më 20 gusht 1967, i cili bashkëjetonte me ish-bashkëshorten e shtetasit në kërkim ndërkombëtar Kostandin Nishku, shtetasen Aurora Nishku, lindur më 20 maj 1977. Nga ana e Interpol Tiranës kjo foto i është dërguar për identifikim Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Në përgjigjen e ardhur nga Elbasani është konfirmuar se foto e shtetasit Hariz Vjeri, e dërguar nga autoritetet greke, i përket shtetasit në kërkim ndërkombëtar, Kostandin Nishku.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
Nga ana jonë i është kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, lidhur me identitetin e ri që ne dyshonim se kishte marrë ky shtetas dhe nga ana e Gjendjes Civile na është konfirmuar se ky identitet nuk ka ekzistuar më parë, pra është krijuar rishtazi. Kjo na bëri të dyshojmë më shumë se ky shtetas është i njëjti me shtetasin në kërkim ndërkombëtar. Identiteti i ri ishte Hariz Vjeri. Ishte identitet që ishte regjistruar në Tiranë, si i ardhur nga Saranda, por nga verifikimet ka rezultuar se as në Sarandë nuk ka ekzistuar si familje, si rrënjë, si trung. Edhe në Paskuqan, ku është bërë edhe regjistrimi i këtij identiteti, rezulton se nuk është kryer në mënyrë të rregullt. Pra ky identitet është krijuar rishtazi, me qëllim që ky shtetas të përfitonte dokumente identifikimi.
Këtë informacion, Interpol Tirana ia ka dërguar Interpol Athinës, duke konfirmuar se foto e dërguara nga ana e tyre, me emrin Hariz Vjeri, i përket shtetasit në kërkim ndërkombëtar Kostandin Nishku. Gjithashtu i është kërkuar zyrës së Interpol Athinës arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, por autoritetet greke nuk kanë proceduar me arrestimin e tij, pasi nuk ishin të sigurt nëse kishin të bënin me të njëjtin person. Sipas tyre provat ishin të pamjaftueshme.
Në fakt sa më shumë vite kalojnë, identifikimi për persona të caktuar bëhet shumë i vështirë, për më tepër kur në kartelën e tyre nuk ka as gjurmë gishtash.
Pëllumb Seferi, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
“Është e vërtetë që kur ka një afat kohor mbi 15-20 vite bëhet i vështirë identifikimi i këtyre personave, sepse në shumicën e rasteve këta persona nuk kanë gjurmë daktiloskopike. Në rast se personat, si rasti në fjalë, do të kishin gjurmë daktiloskopike, do ta bënin më të lehtë identifikimin e këtyre personave. Për këtë arsye, ne në disa raste jemi të detyruar të kërkojmë ndihmën e Interpolit, për “Face Recognition”, ndihmën e kolegëve ndërkombëtar, për të bërë të mundur që këta persona të identifikohen dhe më pas të arrestohen për qëllim ekstradimi. Jo çdo rast i ngjan tjetrit. Janë raste që duhen parë të ndarë nga njëri-tjetri”.
Pavarësisht vështirësive që vinin nga Greqia, Interpol Tirana vijoi procedurat e verifikimit të këtij identiteti të ri, të personit që ishte në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kohës që ishte në arrati, ai jo vetëm kishte shpikur një identitet të ri, por ishte pajisur dy herë me pasaportë biometrike, duke aplikuar në Ambasadën shqiptare në Athinë. Është arritur të zbulohet se Kostandin Nishku, në fakt kishte edhe dy identitete të tjera. Njihej edhe si Baki Duzha, por pas vitit 2013 kishte një identitet tjerë, Hariz Vjeri. Këtë emër e kishte regjistruar në mënyrë të dyshimtë në Paskuqan, si një familje e ardhur nga Saranda. Por hetimi zbuloi se një familje e tillë nuk kishte ekzistuar kurrë, as në Tiranë dhe as në Sarandë.
Në lidhje me verifikimin e pasaportës biometrike dhe ligjshmërinë e pajisjes me pasaportë biometrike të shtetasit Hariz Vjeri në vitit 2013, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, i ka kthyer përgjigje Departamentit të Policisë Kriminale me shkresën e datës 20 shtator 2021, ku informon se:
Drejtoria e Gjendjes Civile
“Në fletën e regjistrit themeltar të regjistrimit të popullsisë të vitit 1974 “Babrru Kodër”, me referencë 2/62, për vendosjen e familjes së ish-shtetasit në fjalë në ish-Komunën Paskuqan, konstatojmë se nuk përputhen të dhënat për burimin e informacionit, sipas regjistrimit të mëparshëm. Nga verifikimet e kryera rezulton se kjo familje nuk rezulton të ketë pasur regjistrim të mëparshëm në regjistrin themeltar të regjistrimit të popullsisë të vitit 1974 “Ali Visha”, me referencë 9/34. Zyra e Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Paskuqan, Bashkua Kamzë, ku familja e subjektit të verifikimit, Hariz Vjeri, ka regjistrimin, do të kryejë veprimet e bllokimit në regjistrin kombëtar. Nisur nga të dhënat, për datën dhe vitin e lindjes, janë ndërmarrë verifikime të mëtejshme edhe në Nënprefekturën e Sarëndës, me qëllim identifikimin e regjistrimit fillestar të shtetasit Hariz Vjeri dhe nga verifikimet rezulton se nuk identifikohen të dhëna për regjistrimin e shtetasit në fjalë”.
Janë bërë verifikime në Zyrën e Gjendjes Civile Sarandë dhe kanë konstatuar se në zyrat e Gjendjes Civile në juridiksionin e saj, nuk figuron i regjistruar person apo familje me gjeneralitete të tilla. Nuk figuron i regjistruar dhe familje me gjeneralitetet e shtetasit Leonidha Vjeri, që supozohej të ishte babai i Hariz Vjerit. Në përfundim është arritur në konkluzionin se në Gjendjen Civile të ish-Komunës Paskuqan, është krijuar një familje “fantazmë” me emrin Hariz Vjeri, me qëllim që ky shtetas të përfitonte në paligjshmëri dokumente identifikimi.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Në vitin 2013 ky shtetas është pajisur me pasaportë në Greqi, por gjatë gjithë kohës nuk ka pasur hyrje – dalje në Shqipëri. Kjo pasaportë ka skaduar në 2023 dhe në vitin 2023 ka aplikuar për t’u pajisur sërish me pasaportë shqiptare. Të dyja aplikimet janë bërë pranë Ambasadës tonë në Athinë. Në këto kushte kemi komunikuar me oficerin tonë ndërlidhës që është pranë Ambasadës tonë në Athinë, që ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me autoritetet greke lidhur me rastin, për shkak dhe të rëndësisë që ka pasur ky rast në vendin tonë. Jemi munduar që të kryejmë identifikimin e këtij shtetasi dhe të bëjmë lidhjen që këto të dy identitete i përkasin të njëjtit person”.
Pra për 29 vite që nga momenti kur ka realizuar vrasjen, ky person ka përdorur 3 identitete të ndryshme. Megjithatë nuk ka asnjë provë zyrtare që gjatë kësaj periudhe ai të jetë kthyer në Shqipëri. Të paktën në sistemet e Policisë një fakt i tillë nuk figuron. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë kaluar kufirin ilegalisht.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Mund të ketë pasur dhe hyrje në mënyrë jo ligjore, pasi në sistemet tona nuk ka të regjistruar ndonjë hyrje, me dokumente të identitetit të ri jo e jo, por as me dokumente të vjetra, pasi me identitetin e vjetër nuk është pajisur me asnjë lloj dokumenti biometrik të mëvonshëm”.
Nga ana e Drejtorisë së Interpolit i është përcjellë informacion zyrës homologe Interpol Athina, por përsëri autoritetet greke nuk vijuan me arrestimin me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Nga verifikimet në sistemin TIMS, rezulton se shtetasi Hariz Vjeri, është pajisur me pasaportë biometrike, lëshuar më datë 11 dhjetor 2013, e vlefshme deri më datë 10 dhjetor 2023. Aplikimi dhe tërheqja e pasaportës është kryer në Ambasadën Shqiptare në Athinë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, bëri regjistrimin e procedimit penal nr.7633, të vitit 2021 dhe me shkresën e datës 13 shkurt 2023 informon se është dokumentuar fakti që shtetasi Kostandin Nishku ka ndryshuar fiktivisht gjeneralitetet në Hariz Vjeri, i biri i Leonidha dhe Efrosina, ditëlindja 20 gusht 1967. Drejtoria e Interpolit nuk disponon të dhëna mbi rezultatet e hetimit apo nëse rezultati i këtij procedimi i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme apo Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim përditësimin e urdhrit për shpalljen në kërkim ndërkombëtar apo kryerjen e shënimeve në profilin e shtetasit Hariz Vjeri në sistemin TIMS.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile duhej të ishin marrë masa për bllokimin e identitetit Hariz Vjeri, i cili sipas tyre është krijuar në mënyrë të parregullt. Por në fakt rezulton se nuk është marrë ndonjë masë e tillë, për aq kohë sa, më datë 18 dhjetor 2023, shtetasi me gjeneralitetet Hariz Vjeri është pajisur sërish me pasaportë biometrike, me vlefshmëri deri më datë 17 dhjetor 2033. Aplikimi dhe tërheqja e pasaportës, edhe në këtë rast është kryer në Ambasadën Shqiptare në Athinë.
Deri më datë 16 janar 2026, në sistemin TIMS nuk ka pasur ndonjë njoftim për shtetasin Hariz Vjeri, që të jetë shpallur në kërkim ndërkombëtar apo të jetë bllokuar identiteti nga Zyra e Gjendjes Civile. Në datën 16 janar 2026, me iniciativë nga ana e Interpol Tiranës i është kërkuar Policisë së Elbasanit që të kryejë shënimin përkatës në sistemin TIMS në lidhje me shtetasin Hariz Vjeri.
Në datën 20 janar 2026, nga Drejtoria e Interpolit është dërguar shkresa drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Prokurorisë së Tiranës dhe Elbasanit, Policisë së Elbasanit dhe Departamentit të Policisë Kriminale, ku kërkohej të merreshin masa për pezullimin e identitetit të shtetasit Hariz Vjeri, verifikimin e rastit të pajisjes me pasaportë biometrike në vitin 2023, si dhe bashkëpunimin mes Prokurorive të Tiranës dhe Elbasanit, që për gjetjet e procedimit penal të vitit 2021, të konsultohen midis tyre, me qëllim konfirmimin e faktit që Hariz Vjeri është shtetasi në kërkim Kostandin Nishku.
Pëllumb Seferi, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
“Fillimisht kemi pasur një mosrakordim me autoritetet greke, për arsye se foto e personit ishte shumë e vjetër dhe ata nuk ishin të bindur. Për këtë arsye kërkohej një provë shkencore. Unë siç e theksova dhe më parë, personi nuk ka pasur gjurmë gishtash dhe kjo e ka bërë pak të vështirë identifikimin e tij. Por falë kontributit që dha Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit me “Face Recognition”, u bë i mundur arrestimi i tij. Dhe autoritetet greke, këtë certifikim të Interpolit e morën si provë shkencore dhe u bë i mundur arrestimi i personit. Me gjithë zgjatjen në kohë të arrestimit të këtij personi, unë doja të falënderoja autoritetet greke, pasi pavarësisht se ata nguruan për arrestimin e tij, asnjëherë nuk na kanë penguar në shkëmbimin e informacionit. Kanë qenë gjithmonë të disponueshëm dhe bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Por thjeshtë ishte një provë shkencore, e cila duhej të paraqitej në gjykatë”.
INTERPOL, SHKENCA DHE KTHESA
Gjatë një takimi me përfaqësues të Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit, që u zhvillua në Kent, në muajin nëntor të vitit 2025, në kuadër të operacionit “Liberterra III”, specialisti që ndiqte çështjen, komisar Jerelsi Lumi, zhvilloi një takim me Johanna Morley, specialiste në Interpol, në sektorin e ekzaminimit të fytyrës (Face Examiner), pranë Nëndrejtorisë për të Dhënat Policore dhe Shkencore. U diskutua për rastin e personit në kërkim ndërkombëtar Kostandin Nishku dhe mundësinë e krahasimit të fotos së vjetër të tij, që dispononte Interpol Tirana, me foton e pajisjes me pasaportë të shtetasit Hariz Vjeri. Specialistja e Interpolit u angazhua se do të merrej seriozisht dhe do t’i përkushtohej maksimalisht rastit në fjalë.
Interpol Tirana ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me oficerin Ndërlidhës shqiptar në Athinë, kryekomisare Eva Kollobani, e cila nga ana e saj ka zhvilluar disa takime me shefin e Interpol Athinës dhe përfaqësues të tjerë të Policisë greke, duke i informuar dhe orientuar mbi identifikimin, vendndodhjen dhe lehtësimin e komunikimit gjatë gjithë kohës.
Specialisti i ngarkuar me trajtimin e rastit, i kërkoi informacion kompanisë “Identitek” mbi procesin e aplikimit dhe pajisjes me pasaportë të shtetasit në kërkim, si dhe kërkoi gjurmët daktiloskopike, foto, formularin e aplikimit dhe të dhëna të tjera gjatë pajisjes me pasaportë.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Gjatë një takimi që kemi pasur me kolegët e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit, me Sektorin për identifikimin biometrik, na është prezantuar kjo teknologjia e re që bën krahasimin e fotove dhe kemi menduar se, meqenëse ky ishte një rast me interes dhe që i plotësonte të gjitha kushtet për këtë lloj krahasimi, kemi dërguar të dy fotot, të renë dhe të vjetrën të personit të dyshuar dhe është arritur në konkluzionin që kemi të bëjmë me të njëjtin person. Kjo është një teknologji që Interpoli e ka futur në përdorim prej dy vitesh dhe është një ndihmesë shumë e madhe për forcat e zbatimit të ligjit”.
Në datën 15 janar 2026, foto e vjetër e shtetasit Kostandin Nishku dhe foto e dërguar nga Interpol Athina në vitin 2017, si dhe foto të pasaportave të shtetasit Hariz Vjeri, i janë dërguar për krahasim Njësisë për Krahasimin e Fytyrës (Facial Recognition Unit), pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit dhe në përgjigjen e tyre Interpol Tirana është informuar se pas ekzaminimeve, arrijnë në përfundimin se imazhet e krahasuara paraqesin të njëjtin individ.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Kemi pasur një foto të vjetër të personit, të para viteve ’97, bardh e zi, kishim dhe foton që ky person kishte bërë kur ishte pajisur me pasaportë në vitin 2013. Në këto kushte, duke qenë se Interpoli ka futur edhe një teknologji tejet të avancuar për identifikimin biometrik të personave, atëherë është marrë iniciativa nga ana jonë, që këto dy foto janë nisur për krahasim Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit dhe në përgjigjen e tyre është konfirmuar se kemi të bëjmë me të njëjtin person. Ky ishte një moment kyç në identifikimin e këtij shtetasi dhe menjëherë informacioni i është transmetuar Interpol Athinës, të cilët në pak ditë pas dërgimit të informacionit tonë kanë kryer dhe lokalizimin dhe arrestimin e tij provizor”.
Kjo ishte prova që ndryshoi gjithçka. Kostandin Nishku dhe Hariz Vjeri janë i njëjti person.
ARRESTIMI 28 JANAR 2026
Rezultati i krahasimit të fotove, i është përcjellë zyrës homologe Interpol Athina dhe i është kërkuar lokalizimi dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit Hariz Vjeri. Në përgjigjen e datës 16 janar 2026, të zyrës homologe Interpol Athina, thuhej se informacioni i dërguar nga Interpol Tirana i është përcjellë autoriteteve kompetente me qëllim lokalizimin dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi.
Në datën 30 janar 2026, Interpol Athina ka njoftuar se më datë 28 janar 2026 është kryer arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit Kostandin Nishku alias Baki Duzha alias Hariz Vjeri, duke kërkuar dërgimin në rrugë diplomatike të kërkesës zyrtare për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Pëllumb Seferi, drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
“Na u desh një punë shumë vjeçare për të bërë të mundur identifikimin e këtij personi. Një nga kontributet më të mëdha që kanë dhënë për arrestimin e këtij personi, është pikërisht Interpoli, i cili bëri njohjen e fotos së vjetër me atë aktualen, nëpërmjet “Face Recognition”, sistemi i ri, i cili është futur para 2 vitesh në përdorim, ku konfirmoi që personi, i cili ishte larguar nga territori shqiptar, Kostandin Nishku, foto e vjetër e tij përkonte me foton aktuale, të cilën ne e kishim marrë nga autoritetet greke. Vetëm pas marrjes së kësaj prove shkencore, u bë i mundur arrestimi i tij me qëllim ekstradimi”.
E duket se tashmë, pas 29 vitesh, ky person do të përballet me drejtësinë shqiptare, i akuzuar për vrasjen e një fëmije vetëm 9 vjeç.
Jerelsi Lumi, oficer i Interpol
“Autoritetet tona gjyqësore po bëjnë gati dosjen e ekstradimit të shtetasit në fjalë. Pastaj është në diskrecionin e autoriteteve greke. Ai do të kalojë një proces të rregullt në Greqi dhe më pas nëse e konfirmojnë autoritetet greke ekstradimin e tij do të jetë i mundur ekstradimi”.
29 vite, mjaftueshëm që një foshnjë të lindë e të bëhet burrë. Mjaftueshëm që dëshmitarët të plaken. Që kujtimet të lodhen.
Por jo mjaftueshëm që një krim i tillë të harrohet.
Një fëmijë mbeti përgjithmonë 9 vjeç.
Prindërit e tij mbetën përgjithmonë atë pasdite marsi.
Ndërkohë, për vite me radhë, sistemi kishte përballë sinjale, dyshime, dokumente që nuk përputheshin.
Një identitet që duhej të ishte ndalur.
Një alarm që duhej të ishte ngritur. Dhe nuk u ngrit, deri kur këmbëngulja e disa njerëzve, thuajse personale, vendosi të mos pranojë më boshllëqe.
Fotografitë u krahasuan. Emrat ranë. Maska u hoq dhe më 28 janar 2026, arratia mori fund.
Kjo dosje na kujton diçka. Krimet mund të fshihen për një kohë shumë të gjatë. Autori mund të mos ndëshkohet për vite me radhë.
Por mjafton qoftë edhe një njeri i vetëm që të mos heqë dorë dhe drejtësia një ditë vitet në vend.
Për një familje që priti për 3 dekada. Për një fëmijë që nuk u lejua të jetojë. / abcnews.al /


