Në këtë dyqan të vogël në Tiranën me ritëm të shpejtë jete, koha duket se ecën ndryshe.
Mirjani, prej më shumë se 50 vitesh rijetëson orë që kanë ndalur së funksionuari.
Mjeshtëri i orëve e nisi këtë zanat kur ishte 14 vjeç.
Me të njëjtin pasion vijon edhe sot 67 vjeç ndonëse kjo punë kërkon durim, përqendrim dhe sy të mprehtë.
Mekanizmat janë të ndërlikuar, me dhjetëra pjesëza që duhet të funksionojnë në harmoni. Një gabim i vogël mund të ndikojë në saktësinë e kohës.
Ora muri, tavoline, dore, ora të markave të ndryshme, nga modele të thjeshta deri tek ato luksoze presin për tu riparuar.
Kur orët fillojnë të lëvizin sërish nuk është thjeshtë një mekanizëm që punon, por një pjesë e kujtimeve dhe kohës që vazhdon…
Edhe pse sot shumë përdorin telefonat për të parë orën, klasikes nuk i ka humbur koha.
Në fund të ditës, Mirjani e di se nesër do të vijë një tjetër orë e ndalur që pret të rifillojë rrugëtimin e saj. Dhe ai do të jetë aty, gati për t’i dhënë sërish jetë matëses së kohës.


