Pas kërkesës së përsëritur nga Jurgis Çyrbja, trupi gjykues ka pranuar kërkesën për shuarjen e masës arrest në burg të vendosur ndaj tij.
Gjykata e Posaçme e dënoi ish-deputetin Jurgis Çyrbja më 3 nëntor 2025, me 2 vite heqje lirie për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.
Hetimet kanë zbuluar se në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, Çyrbja është vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga Jurgis Çyrbja te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.


