Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Çyrbja në burg për 12 orë/ Apeli rrëzon kërkesën për liri, në mesnatë përfundon dënimin

schedule13:45 - 20 Shkurt, 2026

schedule 13:45 - 20 Shkurt, 2026

Ish-deputeti Jurgis Çyrbja, ndonëse ishte përgatitur të lirohej këtë të premte nga burgu, do të vazhdojë të qëndrojë në qeli edhe për disa orë. Kjo pasi Gjykata e Posaçme e Apelit i ka rrëzuar kërkesën Jurgis Çyrbjes për lirim nga burgu pas përfundimit të dënimit.

Vendimi është shpallur nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj, të cilët kanë vendosur për vijimin e qëndrimit në burg të Jurgis Çyrbjes deri në përfundimin e plotë të afatit të dënimit.

Sipas avokatit mbrojtës, ish-deputeti Çyrbja duhet të ishte liruar, pasi dënimi i tij kishte përfunduar.



Megjithatë, gjykata ka arsyetuar se të dënuarit i kanë mbetur ende disa orë për të përmbushur plotësisht masën e dhënë, duke mos pranuar kështu kërkesën për lirim të menjëhershëm.

Çyrbja pritet të lirohet ditën e shtunë, sapo të përmbushet në mënyrë të plotë afati i dënimit. Më pas, avokatët e tij mbrojtës do t’i drejtohen sërish gjykatës për të kërkuar shuarjen e masës së sigurisë për lirim të menjëhershëm.

Gjykata e Posaçme e dënoi ish-deputetin Jurgis Çyrbja më 3 nëntor 2025, me 2 vite heqje lirie për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Hetimet kanë zbuluar se në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, Çyrbja është vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga Jurgis Çyrbja te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.

Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!