Juristja Brizida Gjikondi tha për Ora e Fundit se problemi kryesor i Sali Berishës mbetet marrëdhënia e tij e sëmurë me pushtetin, duke theksuar se kjo po e mban PD-në në krizë të thellë. Sipas saj, Ervin Salianji përfaqëson energjinë dhe adrenalinën e re që i mungon partisë, ndërsa ambicia e tij është në përputhje me situatën e rëndë ku ndodhet PD.
“ Është gjëja më e drejtë që godet Berishën te marrëdhënia e sëmurë me pushtetin. Të gjithë i kanë parë sallat e Salianjit që kanë brumë, energji dhe është ajo që i mungon PD-së, e cila është kthyer në moçal; që Salianji me vizionin dhe ligjërimet që mban të mos jetë një bisht i Berishës, por të japë një adrenalinë të re për të rikthyer shpresën te PD.
Në të gjitha takimet në rrethe nuk e ka fshehur aspiratën e tij dhe është një ambicie e shëndetshme, që përputhet me krizën e PD-së. Ambicia e tij bashkohet me krizën e thellë, në buzë të varrit, që po kalon PD.
Është neni i Bashës në fuqi, por Berisha e përdor si pecetë dhe nuk ka pyetur ndonjëherë për statutin e PD-së. Në prill janë edhe zgjedhjet në PD dhe Salianji thotë se është i bindur që s’do të ketë askënd përballë Berishës, sepse ai e njeh shumë mirë dhe mënyrën si funksionon ai. “


