Miliona dosje që lidhen me Jeffrey Epstein, sugjerojnë ekzistencën e një ndërmarrjeje kriminale globale që kreu akte që përmbushin pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit.
Këto ishin përfundimet nga një panel ekspertësh të pavarur të emëruar nga këshilli i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara.
Ekspertët thanë se krimet e përshkruara në dokumentet e publikuara nga departamenti amerikan i drejtësisë u kryen në një sfond të besimeve supremaciste, racizmit, korrupsionit dhe mizogjinisë ekstreme. Krimet, thanë ata, treguan një objektizim dhe dehumanizim të grave dhe vajzave.
Shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe shtrirja ndërkombëtare e këtyre mizorive ndaj grave dhe vajzave është aq e rëndë, sa një pjesë prej tyre janë në pragun ligjor të krimeve kundër njerëzimit, thanë ekspertët.
Më tej në deklaratë thuhet se akuzat e përfshira në dosje kërkojnë një hetim të pavarur, të plotë dhe të paanshëm, dhe thanë se duhet të nisin hetime edhe për të zbuluar se si ishte e mundur që krime të tilla të kryheshin për një kohë kaq të gjatë.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara ngritën gjithashtu shqetësime në lidhje me dështimet serioze dhe redaktimet e gabuara që ekspozuan informacione të ndjeshme të viktimave. Më shumë se 1,200 viktima u identifikuan në dokumentet që janë publikuar deri më tani.
Tre milionë dokumente janë publikuar në lidhje me pedofilin dhe trafikantin seksual Epstein, I cili vdiq në burg në vitin 2019 në pritje të gjykimit. Departamenti I drejtësisë ka thënë se nuk do të publikojë dokumente të tjera.


