Në studion e ABC-së së mëngjesit, farmacistja e herbalistja Kozeta Hoxha ndau disa këshilla befasuese për mënyra natyrale që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e kyçeve, trurit dhe gjumit.
Sipas saj, gjethet e lakrës së freskët jeshile mund të përdoren si kompresë e ftohtë për të lehtësuar dhimbjet e artritit, duke reduktuar enjtjen dhe inflamacionin lokal.
“Mbështjellja e gjunjëve me lakër të freskët jeshile ul dhimbjet, ngurtësinë dhe inflamacionin tek personat me osteoartrit”, u shpreh ajo.
Gjethet përmbajnë antocianina, përbërje squfurore dhe fitonutrientë me veprim antiinflamator, që ndihmojnë në qetësimin e indeve të irrituara dhe nxjerrjen e lëngjeve të tepërta.
Një tjetër “aleat” i fortë për shëndetin, sipas Hoxhës, është avokado.
“Nëse konsumojmë një avokado në ditë, mund të kemi kujtesë më të fortë dhe më shumë përqendrim”, theksoi ajo, duke shtuar se ky frut është i pasur me luteinë dhe yndyrna mono të pangopura që përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe mbrojnë nga stresi oksidativ.
Sipas një studimi tek të rriturit mbi 50 vjeç, konsumimi i një avokadoje çdo ditë rriti me 25% nivelin e luteinës në gjak, ndërsa shoqërimi me pak piper të zi ndihmon në përthithjen më të mirë të lëndëve ushqyese.
Për ata që vuajnë nga pagjumësia, zgjidhja mund të jetë më e thjeshtë nga sa mendohet: kivi.
I konsumuar rreth dy orë para gjumit, ky frut favorizon rikuperimin neuronal e muskulor, ul stresin oksidativ dhe ndihmon në ekuilibrin e neurotransmetuesve. Një studim njëjavor tregoi se personat që konsumuan kivi çdo mbrëmje përfituan një orë më shumë gjumë dhe 27% më pak zgjime gjatë natës, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e pushimit.


