E pamundur të deshifrohet kjo skuadër. Në një sezon vërtet të çuditshëm për të dy gjigandët e Spanjës, Barcelona pësoi humbjen e dytë radhazi, duke humbur papritur kreun e La Ligës.
Katalanasit, që u tronditën pak ditë më parë nga katastrofa me shifrat 4-0 në fushën e Atletikos në Madrid për Kupën e Mbretit, u rrëzuan edhe në stadiumin e Zhironës.
Ish-skuadra e mrekullive e dy edicioneve të kaluara, përballoi një nisje më të mirë nga “blaugranët”, pati fat që Lamin Jamal humbi penalltinë, dhe nuk u trondit as kur pësoi gol.
Mbrojtësi I ri, Pau Kubarsi, kaloi miqtë në epërsi në 59’, por Barça nuk ishte aspak vetvetja. Edhe pse mbajti topin gati 60 për qind, edhe pse bëri dyfishin e gjuajtjeve në total, u duk si në ethe dhe pak konkrete.
Tomas Lemar brenda vetëm 3 minutave barazoi gjithçka, ndërsa katër minuta para fundit Zhirona siguroi fitoren me golin e shënuar nga Fran Beltran. Natyrisht, “blaugranët” patën mungesa si Pedri apo Rafinja, përveç të dëmtuarve më herët, dhe trajneri Hansi Flik u ankua për arbitrimin, por disfata nuk ka justifikim.
“El Mundo Deportivo” pranon: Barça shkelet! Një ekip delikat në prapavijë dhe pa forcë në sulm bie në “Montilivi” dhe i jep shpresë Realit! “Dëshpërimisht”, – titullon në mënyrë lakonike “Sport”, me foton e kapitenit Arauho të tronditur: Një Zhironë e madhe i shkakton humbjen e dytë radhazi Barçës!
Vendasit habitshëm bënë dyfishin e gjuajtjeve në kuadrat dhe e merituan fitoren. Tashmë, Reali kryeson La Ligën me 60 pikë pas 24 javësh me 60 pikë ndaj 58 të katalanasve./abcnews.al


