KOSOVË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës, që ka shkruar me qartësi e thellësi mbi gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Libri i kushtohet gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe padrejtësive që thotë se ata janë përballur gjatë procesit 5-vjeçar.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Prokuroria nuk provoi asgjë kundër UÇK. Rama theksoi se ish-krerët e UCK, u armatosën kundër një politike shfarosëse.
“Përballë një situate të tillë fjalët nuk janë të lehta për t’u gjetur. Ndërkohë ndër disa mendime qe besoj vlejnë të ndahen i pari ishte mendimi se kush është sot në të njëjtën godinë që vuan dënim, pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare sot të dënuar nga ajo gjykatë ose më saktë nda drejtësia ndërkombëtare janë Radovan Karaxhiçi që u dënua me burgim të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimit. Në atë kohë u dënua po ashtu me burgim të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes edhe autori i 8 mijë njerëzve të pafajshëm në Srebrenicë. U shenjëstruan fëmijë e gra. Njëfarë Milan Rukiç i dënuar në përjetësi për krime që lënë pa fjalë edhe fjalorin e më të keqes dikush që lidhte njerëz të gjallë dhe i hidhte në lumë…Dhe tre autorë të tjerë përdhunimesh vrasjesh, krimesh nga më makabret. Tani sipas kërkesës së Prokurorisë së Tribunalit në Hagë këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe 4 të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që Prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e 4 udhëheqësve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asnjë lidhje me varrezat masive të njerëzve të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve e grave nga snajper të vendosur aty apo me përdhunime, vrasje e mbytje njerëzish në lumë. Asgjë”, tha mes të tjerash ai.


