Jemi në Kryeziun e Mjedës dhe Gjeçovit, në një bujtinë, me xhublete e televizor Lura, kujtime të kohëve te largëta.
I zoti i bujtinës, Angjelin Bibaj, na thotë se familja është nga “dera e bajraktarit”.
Fshati Kryezi ka 12 fise dhe dy besime fetare, myslimanë dhe katolikë. Angjelin Bibaj, ka provuar emigrimin e viteve 90’ në Greqi, rrahjet nga policia dhe izolimin ne qeli atje. Ai kujton amanetin e babës: Mos e harro vendin tënd! Kryeziu ka një numër ushqimesh tradicionale, por specialiteti, që nuk e gjen askund tjetër është patatja turshi.
Vitet e komunizmit ishin të vështira në fshat. Angjelini na tregon sesi kur daja i tij kishte ardhur në shtëpi dhe hapte radion për të dëgjuar Zërin e Amerikës, babai i tij i thoshte: “Ndrek, fike radion se me more ne qafe, m’i le fëmijët në rrugë të madhe”.
Edhe Lush Lleshi ka provuar emigrimin në Greqi. “Emigrimi është shumë plagë e keqe, nuk duhen braktisur fshatrat, vendin tënd mos e harro,” na thotë.
Bashkëshortja Flora Lleshi, nuk e donte emigracionin. “Për qejf nuk shkoj të jetoj në Itali”, na thotë.
Lokja, Marie Zef Lleshi, ka qenë e fejuar nga prindërit që 5 vjeç dhe e pa burrin për herë të parë një ditë pas dasmës.
“Kisha dashtë me kenë edhe njëherë e re”, na thotë.
Në Kryezi gjendet edhe kisha e Shnapremtes ku ka meshuar Ndre Mjeda dhe po kështu, fshati ka ende te paret e Gjeçovit. Fshati ka shumë histori.
Gjyshi fanolist i Angjelinit ka shoqëruar Bajram Currin dhe u burgos nga mbreti Zog.
Në Kryezi banorët kanë filluar të kthehen nga emigrimi në një fshat që ka pak bujtina, pak bujqësi, pak blegtori dhe shume histori.


