Konferenca e Sigurisë në Mynih ka sjellë mesazhe dhe debate të reja në lidhje me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.
Në një kohë tensionesh dhe përplasjesh diplomatike, ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se kontinenti i vjetër duhet të mbetet konsistent në vlerat e veta, edhe kur sfidohet ose kërcënohet nga aleati më i madh, përtej oqeanit.
Ai theksoi se është e rëndësishme që të flitet dhe veprohet në një mënyrë që përpiqet ta mbajë të bashkuar familjen europiane. Por nga ana tjetër, theksoi Stoltenberg, Europa duhet të jetë shumë e qartë kur disa vlera thelbësore kërcënohen.
Ish shefi i NATO-s tha se, përveç qartësisë, kjo ka të bëjë edhe me gjetjen e një mënyre për të adresuar çdo problem që lind.
Megjithatë Stoltenberg shtoi se pozicioni i Europës është më i mirë se disa javë më parë, pasi Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda janë në një proces për të diskutuar çështjen.
Komentet e Stoltenberg erdhën pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ofroi një mesazh disi qetësues për aleatët evropianë në fjalimin e tij në konferencë.
Ai përdori një ton më pak agresiv sesa Zëvendëspresidenti JD Vance kur u mbajti leksione atyre në të njëjtin takim vitin e kaluar, megjithatë u tregua i vendosur mbi qëllimin e Uashingtonit për të riformësuar aleancën transatlantike dhe për të shtyrë përpara prioritetet e politikave të Donald Trump.


