E dyshuara për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanadanë perëndimore ishte një grua 18-vjeçare me probleme të shëndetit mendon, e cila vrau nënën dhe djalin e njerkut, përpara se të sulmonte ish-shkollën e saj, ka bërë të ditur policia të mërkurën.
Megjithatë hetuesit nuk kanë ofruar një motiv për një nga masakrat më të këqija masive në historinë kanadeze.
Vrasësja, të cilën policia e ka identifikuar si Jesse Van Rootselaar, është vetëvrarë pas të shtënave të martën në Tumbler Ridge, një komunitet i largët me 2,400 banorë në provincën e Paqësorit të British Columbia.
Policia e ka konfirmuar se numri i të vdekurve është nëntë, përfshirë Van Rootselaar, nga 10 të raportuar fillimisht.
Në disa raste, Van Rootselaar ishte arrestuar sipas Aktit të Shëndetit Mendor provincial për një vlerësim, kanë bërë të ditur autoritetet kanadeze.
“Policia kishte vizituar atë banesë (familjare) në disa raste gjatë viteve të fundit, duke u marrë me shqetësime për shëndetin mendor në lidhje me të dyshuarën tonë”, kanë thënë autoritetet.
Sipas tyre, Van Rootselaar, e cila ka lindur mashkull, por kishte filluar të identifikohej si femër gjashtë vjetë më parë, ka vrarë fillimisht nënën e saj, 39 vjeç, dhe djalin e njerkut 11-vjeçar në shtëpinë e familjes. Më pas ajo ka shkuar në shkollë, ku ka qëlluar një mësuese 39-vjeçare, si dhe tri nxënëse 12-vjeçare dhe dy nxënës një 12 vjeç dhe një 13 vjeç.


