21 persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës si autorë të dyshuar të akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. Mes të arrestuarve janë edhe 4 të mitur, të moshës 17 vjeçare. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë protestës janë regjistruar disa episode dhune. Fillimisht, militantët kanë hedhur gurë dhe shishe molotov në drejtim të forcave të policisë.
Në total u shoqëruan 30 protestues, nga të cilët 9 janë lënë të lirë pas verifikimeve paraprake. Ndërkohë, në hetim janë vënë 5 figura politike të kampit blu: Ervin Minarolli, Klevis Balliu, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Luan Baçi, mbi të cilët rëndojnë disa akuza që lidhen me organizimin dhe nxitjen e dhunës. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Shtytja e të miturit në krim”,
“Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një 41-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme.
Si pasojë e përplasjeve, 16 efektivë policie kanë mbetur të lënduar. Ata po marrin shërbim mjekësor në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në repartin e djegieve.


