Kreditë që nuk shlyhen në kohe ose huatë e këqija kanë arritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë dhjetorit niveli i kredive të këqija rezultoi 3.8% nga 4.2% që u regjistrua një vit më parë në të njëjtën periudhë. Por përmirësimi duket edhe në raportin e kredive me probleme me bazë vjetore. Ndërkohë që në vlerë huatë me probleme rezultojnë se janë 358 milionë euro kredi me probleme.
Nëse vërejmë të njëjtën periudhë të disa viteve më parë përmirësimi i huave me probleme është i ndjeshëm.
Ky është një tregues mjaft optimist i cili konfirmon se aftësia paguese e qytetareve dhe e bizneseve është përmirësuar në vend. Po ashtu ndikim në këtë drejtim ka pasur edhe rritja e nivelit të punësimit por edhe e pagave.
Qëndrueshmëria e nivelit të kredive e me probleme është një sinjal pozitiv për sistemin bankar dhe përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.
Tashmë norma e interesit në lekë është pozicionuar në nivelin 2.50% si një masë për të stabilizuar çmimet e konsumit por njëkohësisht kjo ka ulur edhe kostot për qytetarët dhe bizneset që kanë një kredi në monedhën kombëtare. Kjo nënkupton që këstet e kredive të reja do të jenë më të lira se ato që janë aprovuar aktualisht.
Ndikim në përmirësimin e bilancit të bankave ka dhënë edhe rritja e ndjeshme e kredidhënies. sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë vërehet se portofoli total i kredive në fund të vitit 2025 ka arritur rekord duke tejkaluar të gjitha periudhat e njëjta përgjatë viteve të kaluara. Në total portofoli i kredisë rezultoi se ishte 943.4 miliardë lekë.


