Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Balluku mban postin. PS: Ndryshojmë Kushtetutën/ Rama: Funksionet e padelegueshme nuk mund të pezullohen

schedule11:52 - 9 Shkurt, 2026

schedule 11:52 - 9 Shkurt, 2026

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu pezullimin, Belinda Balluku, do qëndrojë në detyrë.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama tha se do e vijojë betejën për garantimin e pavarësisë së pushteteve duke paralajmëruar ndryshime ligjore që I japin zgjidhje pyetjes nëse një ministër pezullohet apo jo nga detyra.

“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”, tha kryeministri Rama.



Duke iu referuar deklaratës së kreut të qeverisë, ndryshimet mund të bëhen në nenin 242 të kodit të procedurës penale, ku flitet për pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik. Përveç deputetëve dhe kryebashkiakëve që janë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët, masa e pezullimit të shtrihet edhe tek anëtarët e qeverisë, presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë.  Rama thotë se funksionet drejtuese nuk mund të pezullohen.

“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrsesi nga askush duke u nisur nga një emër i përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton”, shtoi Rama.

Në këto kushte, kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Ballukut duhet të presë pasi këshilli për Mandatet nuk do të mblidhet para ndryshimeve ligjore.

“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, përfundoi kryeministri.

Në përfundim, Rama e mbyll qëndrimin e tij me një mesazh për SPAK, puna e të cilit thotë se nuk preket, po aq edhe pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!