Në një nga garat më të rëndësishme politike lokale në Zvicër, emri i Përparim Avdilit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje. Kandidat për Bashkinë e Zyrihut nga Partia Liberale (FDP), Avdili shihet si një nga figurat më interesante të kësaj gare, duke sfiduar kampin e majtë me një profil politik jokonvencional dhe një histori personale frymëzuese.
Mes katër kandidatëve në garë, ai u përzgjodh nga bordi i FDP-së si kandidat për kryetar bashkie. Zgjedhjet do të zhvillohen më 8 mars, ndërsa Avdili ka nisur fushatën që në fund të tetorit, menjëherë pasi mori nominimin nga partia, duke theksuar se dëshiron që Zyrihu të zhvillohet më tej dhe të perceptohet si një metropol i vërtetë europian.
Në skenën politike zvicerane, favoriti konsiderohet Raphael Golta, por vetë Avdili e sheh këtë si një motivim shtesë, duke u ndjerë i vlerësuar që konsiderohet rival i fortë.
Media prestigjioze “NZZ am Sonntag” e ka cilësuar si një fenomen politik, duke e përshkruar si një “provokim në lëvizje” për establishmentin socialdemokrat, ndërsa artikulli ndalet gjatë tek rrugëtimi i tij jetësor – nga historia e emigracionit të familjes, deri te kandidimi për një nga qytetet më të rëndësishme të Europës.
I lindur në një familje emigrantësh nga Maqedonia e Veriut, Avdili u rrit në Zvicër. Babai i tij fillimisht punoi si punëtor sezonal dhe më pas solli të gjithë familjen. Ai ka treguar shpesh se familja u kujdes që fëmijët të mos harronin gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare.
Rruga e tij profesionale nuk ka qenë lineare. Në moshën 18-vjeçare nisi shkollën për mekanik makinash, por më pas e braktisi këtë drejtim. Pasi punoi në postë, ai ndoqi kurse në shkollën e biznesit dhe hyri në sektorin bankar, pavarësisht mungesës fillestare të eksperiencës. Më vonë punoi në banka të tjera dhe u vetëpunësua si konsulent për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme në financë.
Avdili ka folur hapur edhe për paragjykimet që ka përjetuar në rini, kur gjatë praktikës si mekanik është etiketuar me stereotipe për shkak të origjinës së tij, përvoja që, sipas tij, e ka forcuar karakterin dhe ambicien.
Në jetën personale, ai bashkëjeton me partneren e tij dhe ruan lidhje të forta me identitetin dhe kulturën shqiptare.
Një element i veçantë i fushatës së tij është ndërthurja e politikës me artin dhe kulturën urbane. Në bashkëpunim me reperin Arbër Rama, ai mori pjesë në një këngë të krijuar në kuadër të prezantimit të programit electoral, një projekt që synon të lidhet me qytetarët përmes historive reale dhe jo sloganeve politike.
Një shqiptar në krye të Bashkisë se Zyrihut? Përparim Avdili, kandidati provokues që po shkund Zvicrën
schedule11:53 - 6 Shkurt, 2026
schedule 11:53 - 6 Shkurt, 2026
