Avokati Idajet Beqiri u shpreh se kërkesa për rritje të pagave të gjyqtarëve është e tepruar në kushtet aktuale të sistemit të drejtësisë.
Ai theksoi se këto kërkesa përbëjnë një formë abuzimi dhe cenojnë parimin e paanësisë që duhet të ketë pushteti gjyqësor.
Sipas Beqirit, nuk mund të kërkohen paga më të larta kur drejtësia vonon dhe dosje të rëndësishme mbeten pa zgjidhje prej vitesh.
”Ka qenë një kohë që gjyqtarët i kishin pagat qesharake dhe të ulëta; minimumi ishte 500 mijë lekë të vjetra. Ata merrnin ryshfete dhe kjo iu dukej thërrime dhe nuk bënin asnjë kërkesë për rritje rroge. Deri në vitin 2016, kur nisi reforma dhe vettingu, ata deri në atë kohë shumica prej tyre nuk dinin a merrnin apo jo rrogë.
Tani kërkojnë rritje dhe unë e shoh në dy aspekte. Në aspektin pozitiv vlerësoj se tani këta nuk po fusin duart në xhepat e shqiptarëve, por tani kanë kaluar në ekstrem tjetër. Të kërkosh tani, në këtë situatë ku është drejtësia, gati dyfish, kjo do të thotë një abuzivizëm maksimal.
Në radhë të parë kemi të bëjmë me lekë që merren nga buxheti i shtetit dhe miratohen në Parlament, ku caktohet sa do të jenë pagat. Kërkesat mund të jenë maksimale, por nuk vendos dot ti. E ligjshme është, por ndërhyn në kompetencat e një pushteti tjetër. Kjo është shkelje flagrante.
Janë të pakujdesshëm, të pavëmendshëm edhe kur dalin e bëjnë deklarata; harrojnë se janë një pushtet gjyqësor që duhet të tregojë paanësi. Nga epitetet që përdorin harrojnë dhe e quajnë veten seksion të Partisë Demokratike. Veprojnë në të gjitha fushat kështu: kërkojnë rritje të pagave, dhe në Malin e Zi u kërkua rritje pagash, por nuk u realizua.
Po ti që i mban dosjet prej 10 vitesh kapicë me vite? Që nga 2019 SPAK ende nuk i jep zgjidhje. Kur nuk i jep drejtësi, për çfarë e do pagën?“


