TIRANË- Besimi i bizneseve në ekonominë shqiptare ka shënuar rritje në fillim të këtij viti. Sipas Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, publikuar nga Banka e Shqipërisë, niveli i besimit të agjentëve ekonomikë u rrit me 4.2% gjatë muajit janar.
Kjo rritje është nxitur nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët kryesorë të ekonomisë, përfshirë industrinë, ndërtimin, tregtinë dhe shërbimet. Ndërkohë, besimi i konsumatorëve ka mbetur i pandryshuar.
E ftuar në emisionin “Money Report”, ekspertja e ekonomisë Romina Ramdonshiqi u shpreh se viti 2026 pritet të sjellë një rritje të qëndrueshme ekonomike për vendin.
Radonshiqi theksoi gjithashtu se për vitin 2026 pritet një rritje e inflacionit, si pjesë e zhvillimeve të pritshme ekonomike.
Sipas saj, rivlerësimi i pasurive pritet të zhbllokojë stokun e pronave të pashitura, duke i dhënë një shtysë të re sektorit të ndërtimit, ndërsa sektorët shërbimet dhe tregtia do të vijojnë të përfitojnë nga lidhja e drejtpërdrejtë me turizmin.
“Viti 2026 do të sjellë rritje vërtet të qëndrueshme. Jemi ekonomi e vogël, por i kemi superuar krizat dhe tani ekonomia shqiptare është e qëndrueshme. Kemi një rritje të besimit, sepse bizneset kanë mundësi të parashikojnë tregun për mënyrën se si do të vijojë ekonomia.
Bizneset kanë klientë dhe është rritur besimi në ekonomi. Ndërkohë që rivlerësimi do të zhbllokojë pasuritë e pashitura dhe do t’i japë një mundësi të mirë sektorit të ndërtimit. Shërbimi dhe tregtia janë të lidhura direkt me sektorin e turizmin. Presim që inflacioni të rritet në 2026”, tha ajo./abcnews.al


