Ora 11 e kësaj të hënë shënoi edhe përfundimin e afateve për subjektet politike dhe kandidatët për të paraqitur ankesat e tyre në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa, përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë procesin e certifikimit të rezultateve.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Bekim Haxhiu ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026.
Një ankesë e ka edhe Igor Simiç, i Listës Serbe, pas vendimit të marrë të shtunën, kur dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe abstenimi i anëtarëve të tjerë të KQZ-së pamundësuan miratimin e listës së saj me kandidatët për deputet që fituan garën e 28 dhjetorit.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar OSBE, që ka deklaruar se po e monitoron nga afër situatën dhe pret që vendi të veproj në përputhje me standardet demokratike.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP ka afat katër ditë për shqyrtimin e ankesave. Ndërkaq, palët e pakënaqura me vendimin e PZAP-it kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit ka afat prej tri ditësh për të marrë vendim përfundimtar.
Duke u bazuar në këto afate ligjore, certifikimi përfundimtar i zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të merret në mes të muajit shkurt.
Ndërkohë, drejtësia vijon punën e saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit, në Podujevë.
Edhe kjo komunë do të jetë nën lupën e Krimeve Ekonomike, si pasojë e dyshimeve për manipulim. Prokuroria e përgjithshme konfirmon se hetimet pritet të shtrihen edhe në dy komuna të tjera: Skenderaj dhe Vushtria.
Në fundjavë, aksioni i fundit është ai i Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Prokuroria kërkoi paraburgimin e 10 personave të dyshuar për manipulim të votave nga 43 të ndaluar për intervistim.


