Ndoshta vërtet nuk do të ndalet derisa t’ia dalë. Ambicia është ajo që e mban njeriun në jetë, dhe kjo ego e madhe po bën që Kristiano Ronaldo ta sfidojë tërësisht moshën.
Edhe pse 40 vjeç, superylli portugez vazhdon ndjekjen e objektivit të madh të karrierës, arritjen e shifrës së 1 000 golave si futbollist profesionist.
Mbrëmjen e fundit hodhi edhe një hap tjetër.
Shënoi rrjetën numër 961, ndërsa Al Nasr fitoi 3-0 në fushën e rivalit Al Holud, në Ligën Profesioniste Saudite.
Kjo ndodhi me të nisur pjesa e dytë, ndërsa më pas realizuan edhe Simakan e Koman me penallti, sepse CR7 ishte zëvendësuar në 79’.
Përveç 1000 golave, Kristiano kërkon edhe Këpucën e Artë këtë sezon, dhe është në vend të dytë në këtë renditje me 17, një më pak se I pari.
Në 21 janar, në fitoren 2-1 në fushën e kundërshtarit Damak, portugezi u bë shënuesi më I mirë I huaj në historinë e klubit, e tashmë ka 117 rrjeta ndaj 115 që kishte ish-rekordmeni, marokeni Hamdallah.
Ndërkaq, Ronaldo synon titullin e parë me Al Nasrin, sepse në Arabinë Saudite nuk ka fituar asgjë deri tani.
Skuadra e tij mban vendin e dytë me 43 pikë, tri më pak sesa kryesuesja Al Hilal kur ka kaluar pak më shumë se gjysma e sezonit.


