E habitshme, por nuk ia ka dalë kurrë këtu. Karlos Alkaraz mund të jetë numri 1 I botës në tenisin për meshkuj, mund të ketë fituar 6 Grand Sleme deri në moshën 22-vjeçare si askush tjetër në histori, por Melburni nuk i ka sjellë fat.
Gjithsesi, kampioni i madh spanjoll është tani vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës, fitores së Grand Slemit të vetëm që I mungon, por jo pa një betejë të jashtëzakonshme ndaj gjermanit, Aleksandër Zverev.
Maratona zgjati 5 orë e 27 minuta, gjysmëfinalja më e gjatë në historinë e Australian Openit, dhe një nga ndeshjet më të gjata të luajtura ndonjëherë.
Alkaraz ia doli në pesë sete me rezultatin e ngushtë 6-4, 7-6, 6-7, 6-7, 7-5. Dueli në Arenën “Rod Lejvër” ishte fenomenal.
Spanjolli fitoi dy setet e para, ndonëse taj brejku në të dytin u duk se nuk do të përfundonte kurrë.
Më pas, Karlos ishte dy pikë larg suksesit në tre sete, por gjithçka u përmbys.
Zverev, një nga tenistët më të talentuar të brezit të tij, por edhe një ndër më nervozët e të paqendrueshmit, reagoi dhe barazoi sfidën.
Alkaraz pati ngërçe në setin e tretë dhe vuajti deri në fund, por ia doli, edhe pse gjermani me origjinë ruse shërbeu për fitoren e duelit në setin e pestë.
Rivali protestoi ashpër në momentin kur spanjolli mori ndihmë mjekësore duke pretenduar se ai u ndihmua, ndonëse në fund nuk mungoi përqafimi sportiv mes tyre.
Numri 1 I botës ka arritur tashmë 8 finale të Çmimeve të Mëdha.
Se çfarë e ardhmeje e pret kampionin e “Furive të Kuqe” mjafton të themi se Gjokoviç kishte fituar vetëm një Grand Slem 22 vjeç, Federer vetëm 3, ndërsa Nadal arriti deri në pesë.


