Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Trump mbështet marrëveshjen për financimin e qeverisë, DHS përjashtohet përkohësisht

schedule08:22 - 30 Janar, 2026

schedule 08:22 - 30 Janar, 2026

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se republikanët dhe demokratët në Senat kanë arritur një marrëveshje për të avancuar një paketë financimi që synon të shmangë mbylljen e qeverisë federale.

Sipas mediave amerikane, palët ranë dakord për miratimin e pesë projektligjeve të shpenzimeve, ndërsa projektligji i gjashtë, që lidhet me financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), u hoq përkohësisht nga paketa. Financimi për DHS do të zgjatet për dy javë, për t’u dhënë kohë negociatorëve të arrijnë një marrëveshje të re.

Trump e përshëndeti marrëveshjen përmes një postimi në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për një votë bipartizane, ndërsa theksoi se paketa garanton financimin e shumicës së agjencive federale deri më 30 shtator 2026, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes, Shëndetësisë, Thesarin dhe sistemin federal të gjykatave.



Tensionet rreth DHS janë rritur pas dy vrasjeve të qytetarëve amerikanë nga agjentë federalë në Minneapolis gjatë muajit janar, çka ka shkaktuar protesta në disa qytete të SHBA-së. Demokratët kanë kërkuar përjashtimin e financimit për DHS, duke akuzuar agjencinë për tejkalim të kompetencave gjatë operacioneve të emigracionit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare përfshin disa agjenci, përfshirë ICE, Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (CBP), Rojën Bregdetare dhe Shërbimin Sekret. Demokratët po kërkojnë reforma, përfshirë detyrimin e agjentëve federalë për të siguruar urdhër arresti dhe rregulla më të qarta identifikimi.

Projektligji i shpenzimeve ka kaluar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve, por pas ndryshimeve të bëra në Senat, paketa duhet të rikthehet për rivotim. Ndërkohë, ekziston rreziku i një mbylljeje të pjesshme të qeverisë gjatë fundjavës, megjithëse efektet pritet të jenë minimale.

Mbyllja e fundit e qeverisë federale zgjati 43 ditë dhe la mbi 1.4 milionë punonjës federalë pa pagesë ose në pushim të detyruar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!