Bashkimi Evropian planifikon të vërë në dispozicion 145 milionë euro për ndihmë humanitare në Ukrainë, njoftoi sot krahu ekzekutiv i aleancës me 27 vende anëtare.
“Fondet synojnë të ofrojnë mbrojtje, strehim, ushqim si dhe qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore”, bëri të ditur Komisioni Evropian.
Sipas tij, edhe 8,0 milionë euro shtesë janë parashikuar për pritjen e refugjatëve të luftës në Moldavi.
Në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj furnizimit energjetik të Ukrainës, BE-ja po dërgon gjithashtu edhe 500 gjeneratorë emergjence.
Të premten e kaluar u dërguan 447 të tillë. Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gati katër vjet më parë, Komisioni ka siguruar mbi 1,4 miliardë euro për programe ndihme humanitare në Ukrainë dhe Moldavi.
Po ashtu, të paktën tre miliardë euro janë vënë në dispozicion për sigurinë energjetike.


