Popullsia e Gjermanisë ka shënuar rënie vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 2020, për shkak të një hendeku në zgjerim mes lindjeve dhe vdekjeve dhe rënies së imigracionit, sipas të dhënave paraprake zyrtare të publikuara të enjten.
Sipas të dhënave zytare nga Destatis, popullsia e vendit u ul me 100 mijë persona vitin e kaluar, duke arritur në 83.5 milionë Në vitet 2023 dhe 2024, popullsia u rrit përkatësisht me 340 mijë dhe 100 mijë persona, falë një rritjeje të ndjeshme të migrimit neto.
Si në të gjitha vitet që nga ribashkimi i Gjermanisë, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve në vitin 2025. Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve u zgjerua vitin e kaluar.
“Rëniet e fundit të popullsisë ndodhën midis viteve 2003 dhe 2010, si dhe në vitin 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19. Midis viteve 2011 dhe 2024, popullsia u rrit çdo vit, me përjashtim të vitit 2020”, tha Destatis.
Për herë të parë që nga viti 2020, migrimi neto nuk arriti ta mbyllë hendekun mes lindjeve dhe vdekjeve, duke rezultuar në rënie të popullsisë.
Në Gjermani vlerësohet se vitin e kaluar ndodhën mes 640 mijë dhe 670 mijë lindje dhe pak më shumë se 1 milion vdekje. Kështu, parashikohet një hendek mes lindjeve dhe vdekjeve prej 340 mijë deri në 360 mijë për vitin 2025.
Migrimi neto vitin e kaluar parashikohet se ishte mes 220 mijë dhe 260 mijë persona. Migrimi neto drejt vendit në vitin 2024 u regjistrua në 430.183 persona. Theksohet se migrimi neto pritet të shënojë rënie me të paktën 40 për qind krahasuar me vitin 2024.
Migrimi neto mbeti në një nivel të ngjashëm të ulët (220.251) edhe në vitin 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19. Mesatarja vjetore e migrimit neto nga viti 1990 deri në vitin 2024 ishte 356 mijë persona.


