Parlamenti i Norvegjisë miratoi të martën një plan prokurimi prej rreth 2 miliardë dollarësh për artileri me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të forcuar aftësitë mbrojtëse dhe parandalimin ndaj Rusisë në rajonin e Arktikut, ku të dy vendet ndajnë një kufi të përbashkët.
Vendet evropiane po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, të nxitura nga presioni i administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe nga shqetësimet e shtuara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Këto janë armë që mund të godasin thellë pas vijave të armikut… kjo është vendimtare në luftën moderne,” deklaroi të martën në parlament Peter Frølich, zëdhënës për politikën e mbrojtjes nga radhët e Partisë Konservatore në opozitë.
Gazeta norvegjeze Aftenposten raportoi më 24 janar, duke cituar burime anonime, se qeveria ka zgjedhur sistemin e artilerisë Chunmoo të kompanisë koreano-jugore Hanëha Aerospace, duke lënë pas ofertën amerikane të Lockheed Martin me sistemin HIMARS.
Sipas raportimit të Aftenposten, sistemi koreano-jugor përmbushi të gjitha kriteret e vendosura nga Norvegjia për artilerinë tokësore, përfshirë aftësinë për të goditur objektiva deri në 500 kilometra largësi, si dhe ofroi afatin më të shpejtë të dorëzimit.
Ministria ka bërë të ditur se planifikon të blejë 16 sisteme lëshimi, së bashku me një numër të papërcaktuar raketash, me një kosto totale prej 19.5 miliardë koronash norvegjeze, ose rreth 2 miliardë dollarë.


