Do ta marrë malli për futbollin.
Ardian Ismajli është sërish fatkeq dhe mbrojtësi I kombëtares do të duhet të bëjë një tjetër ndalesë pak a shumë të gjatë.
Klubi I tij, Torino, njofton për rezultatin e vizitave mjekësore pas dëmtimit që ai pësoi në ndeshjen ndaj Komos në Serinë A, dhe lajmet nuk janë edhe aq të mira.
Ismajli do të qendrojë një muaj jashtë fushave të lojës, duke humbur disa ndeshje për ekipin “granata”.
Natyrisht, do t’i duhet edhe një periudhë e caktuar që të marrë formën.
Lëndimi ndodhi gjatë humbjes së rëndë 6-0 pësuar në fushën e Komos, kur në minutën e 20-të, ai u ul në fushë dhe kërkoi zëvendësim.
Mediat italiane shkruajnë se futbollisti ka dëmtim muskulor në këmbë.
Theksohet që vetëm këtë sezon, Ismajli ka pasur katër dëmtime, fillimisht në gusht, pastaj në shtator, në nëntor dhe tani në janar.
Në total, ai ka humbur 10 ndeshje këtë edicion, me 65 ditë mungesë në fushëën e lojës apo të stërvitjes.
Shpresohet që këtë herë shkëputja të mos jetë e gjatë, dhe mbrojtësi kuqezi të jetë gati për ndeshjen ndaj Polonisë në plej ofin e Botërorit në 26 mars.


