Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael, ku u prit me ceremoni shtetërore nga homologu i tij Benjamin Netanyahu dhe kryeparlamentari Amir Ohana, duke mbajtur më pas një fjalim në një seancë të posaçme të parlamentit izraelit.
Vizita u vlerësua si një nga më të rëndësishmet në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale, duke u cilësuar si një nder i veçantë për Shqipërinë.
Sipas pedagogut të marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika, kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe turistik mes dy vendeve, në një kohë kur rajoni vijon të përballet me zhvillime të ndjeshme, përfshirë situatën në Gaza dhe procesin e brishtë të stabilizimit mes Izraelit dhe Palestinës.
“Është një nga vizitat më të rëndësishme që ka marrë pjesë Rama edhe në marrëdhëniet dy palëshe, por edhe rajonale. Është një vizitë e veçantë edhe për faktin që Shqipërisë i është dhënë nderi të japë fjalën në atë parlament. Kemi një thirrje nga të dy liderët për izraelitët për të vizituar Shqipërinë, e dyta është edhe për marrëdhëniet ekonomike të të dy vendeve.
Është një aleancë e cila do të çojë në një bashkëpunim të mëtejshëm dhe të bashkëpunimit të të dy vendeve. Sot u dorëzua edhe trupi i fundit e një prej të vrarëve nga Hamasi. Pas mbarimit të të gjithë fazës së parë duhet një stabilizim mes dy vende mes Izraelit dhe Palestinës. Gaza plan paqeje, por ende nuk ka asgjë konkrete. Jemi ende në fillimet e fazës së parë”, tha Çika.


