Ishte si një “cajtnot”, ndonëse fundi i sezonit ndodhet larg. Barcelona u vendos nën presion nga fitorja e Realit një ditë më parë që solli rokadën në La Ligën spanjolle, por pati nerva të forta për ta përballuar situatën dhe për të fituar.
Suksesi katalanas në javën e 21-të ishte 3-0 ndaj Oviedos në “Kamp Nou”. Fitore e madhe në një arenë madhështore, por që ende nuk është plotësisht gati, siç e tregon numri prej rreth 45 000 spektatorësh në tribuna, në krahasim me kapacitetin prej 105 000 vendesh që do të ketë pas përfundimit të modernizimit.
Epërsia e ekipit “blaugrana” ishte i gjithi, ndonëse miqtë rezistuan 52 minuta, dhe provuan jo pak të rrezikonin. Jo më kot pati 4 gjuajtje në kuadrat ndaj 7 të të besuarve të trajnerit Hansi Flik.
Dani Olmo shënoi për 1-0, pastaj Rafinja tregoi se përse është lideri i të vetëve, ndërsa vulën e vendosi Lamin Jamal.
Talenti më I madh I futbollit në botë realizoi një gol të veçantë dhe festoi siç bëri dikur Kristiano Ronaldo në “Kamp Nou”.
“Barça duhej vetëm që të priste, – shkruan e përditshmja “Marka”, – dy gabime në mbrojtje të Oviedos në nisje të pjesës së dytë kthyen kryesimin!”
“Ky është Lamin, – titullon “AS”, – Me thembër për një gol të madh nga ata që do të kujtohen gjatë!”
Ja edhe gazeta nga Katalonja, “El Mundo Deportivo”: Gol për historinë nga Lamin dhe tri pikë më shumë. Nga ankthi në përmbytje golash!”
Barcelona kryeson La Ligën me 52 pikë ndaj 51 të Realit, në një duel të ashpër për titull, ndonëse katalanasit kanë shënuar 12 gola më shumë sesa madrilenët.


