E realizoi ëndrrën e tij. Ndoshta jo atë më të madhen, por gjithsesi bëri një hap të madh në karrierë. Anis Mehmeti do të vazhdojë këtë sezon sërish në Kategorinë e dytë në Angli, por tashmë në një skuadër që pretendon realisht ngjitjen në elitë. Ipsuiç Tauni pagoi 3 milionë paundë, sipas raportimeve nga mediat britanike, por mund të quhet me shumë fat.
Kjo sepse kartoni i shqiptarit arrin në 10 milionë euro sipas agjencisë së specializuar “transfermarkt”, dhe ky transferim me vlerë kaq të ulët ndodhi sepse atij i përfundonte kontrata në fund të sezonit.
Bristol Siti pranoi më mirë 3 milionë paundë, sesa largimin me parametër zero në verë. Nëse shikon vlerën e futbollistëve në Championship, vëren se Mehmeti është një nga më të rëndësishmit.
Vetëm 30 lojtarë nga 680 gjithsej e kalojnë vlerën e kartonit të tij prej 10 milionë eurosh, ndërsa është e sigurt që ylli kuqezi 25-vjeçar do të bëhet edhe më i mirë, pasi pikërisht tani po rritet ndjeshëm profesionalisht.
Natyrisht, sfida tek Ipsuiçi është më e vështirë sesa në Bristol. Në ekipin që mban vendin e dytë në Championship ka 8 futbollistë me vlerë kartoni mbi 10 milionë euro, pra Mehmeti do të duhet të luftojë për vendin në formacion.
/abcnews.al/


