Eksperti i ekonomisë Igli Tola tha për Sheshi i Dollarit se për një periudhë afatmesme ekonomia globale do të përballet me pasoja nga ngadalësimi i globalizimit. Sipas tij, kjo do të sjellë rritje çmimesh, ulje të konsumit dhe do të godasë veçanërisht shtresat me më pak mundësi ekonomike.
Tola paralajmëroi se edhe vendi ynë do të ndiejë këto pasoja, ndërsa inteligjenca artificiale rrit rrezikun për shkurtimin e vendeve të punës.
“Për një periudhë afatmesme do të jemi në këtë situatë, për sa kohë që po ndalojmë ritmin e globalizimit, i cili si parim bazë kishte specializimin e disa vendeve në prodhim dhe maksimizimin e efiçencës së ekonomisë së shkallës. Kjo gjendje do të zgjasë për një periudhë afatmesme, derisa të rriten marrëveshjet mes palëve. Edhe vendi ynë do të përballet me pasojat që do t’i vijnë përkundër.
Ritmi i rritjes do të ndihet në vendet e Brexit-it, por me një tendencë rënëse, për sa kohë që tregjet e konsumit kanë pësuar ndryshime. Ekonomia globale në tërësi do të vuajë pasojat: do të ketë rritje të çmimeve në mënyrë eksponenciale dhe ulje të konsumit. Konsumatori final do të afektohet drejtpërdrejt.
E gjithë kjo do të prekë shtresat ekonomike që kanë më pak mundësi ekonomike për të përballuar shportën e konsumit. Inteligjenca artificiale në ekonomi rrit rrezikun për zëvendësimin e krahut të punës dhe do të sjellë pasoja edhe më të mëdha në shkurtimin e vendeve të punës.” / abcnews.al /


