Sulmuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trinity Rodman është futbollistja më e paguar në botë.
Ajo nënshkroi kontratën e re me skuadrën e Uashington Spirits, duke e rinovuar atë deri në vitin 2028 me rekordin si e para që arrin në 2 milion dollarë në sezon në historinë e futbollit femëror.
Sipas marrëveshjes, 23 vjeçarja që konsiderohet si një nga yjet e futbollit botëror do të arkëtojë pak më shumë se 2 milion dollarë, bashkë me bonuset.
Në këtë mënyrë, Trinity Rodman kalon tre herë fituesen e “Topit të Artë” Aitana Bonmatí.
Futbollistja e Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës, që u shpall nga FIFA edhe si më e mira në botë për vitin 2025 fiton rreth 1.5 milion euro në sezon.
Po ashtu, Rodman bëhet e dyta në historinë e ligës amerikane të futbollit femëror, që kalon shifrën 1 milion dollarë në sezon.
Me këtë kontratë rekord, futbollistja amerikane kthehet sërish në qendër të vëmendjes mediatike, pak muaj pas historisë personale që mori titujt kryesorë.
Kjo pasi, Trinity është vajza e kampionit të madh dhe kontrovers të NBA, Dennis Rodman.
Ishte pikërisht ish ylli i basketbollit që publikoi detaje familjare, duke i kërkuar publikisht falje vajzës së tij, që nuk kishte qenë pranë saj aq sa duhej.


