U zhvillua këtë të enjte seanca plenarë në Kuvend, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”
Është miratuar me 80 vota pro, shqyrtimi i proceduarës së përshpejtuar i marrëveshjes. Seanca është ndërprerë, ndërkohë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, njoftoi se do të nisë pas një ore.
Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar. Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.


