Ngjarja e 21 Janarit vijon të mbetet një nga çështjet më të debatuara në jetën politike dhe institucionale të vendit, 15 vite pas protestës ku humbën jetën katër qytetarë.
Këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë u zhvilluan homazhe përkujtimore. Ish-ministri i Brendshëm Bajram Yzeiraj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, deklaroi se e vërteta për atë që ndodhi është e qartë për opinionin publik, por sipas tij drejtësia dhe prokuroria kanë dështuar ta trajtojnë siç duhet çështjen.
Yzeiraj akuzoi institucionet për heshtje dhe mungesë vullneti, duke theksuar se ekziston një “marrëveshje e heshtur” për të mos u përballur me përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Nuk ka ndodhur asnjë shtet të botës. 21 Janari, populli e ka shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, është tjetër gjë se drejtësia dhe prokuroria e prishën procesin e rregullt. Nëse ju shikoni heshtje të presidentit, apo kryeministrit, edhe prokuroria luan rolin e shurdhmemecit.
Ka dhe shumë profesorë në juridikë që nuk shprehen. Ka një marrëveshje të heshtur që nuk duan të merren me shejtanin. Nuk dua të humbas shpresat, por fakti që është zvarritur kjo çështje duan që ta humbasin. Është gjykuar çështja në mënyrë të pjesshme. Shteti bëri të pamundurën që ta prishte, tani a do kenë vullnetin këta prokurorë që ta dëgjojnë dhe ta riformatojnë?!”, tha Yzeiraj.


