Të paktën me lojë nuk zhgënjen. Juventusi i Luçiano Spaletit nuk është si dikur ai i Trapatonit apo Alegrit, ndonëse rekordmenët e titujve në Itali duan edhe trofe, ndaj edhe kritikat pas rrëzimit në Kaljari ishin të forta.
“Zonja e Vjetër” u duk e bukur, por tepër e shkujdesur në stadiumin “Unipol Domus” në ishullin e Sardenjës, që zëvendësoi impiantin e vjetër “Sant Elia”.
Skuadra piemonteze duhej të kishte fituar sfidën e Serisë A me rastet që krijoi, por duket se mungon njeriu-gol, ndaj edhe u ndëshkua.
Një gol shumë I bukur I Kaljarit shënuar nga Luka Maciteli në 65’ vendosi fatin e përballjes dhe Juves nuk I bënë punë 22 gjuajtjet, nga të cilat 7 në kuadrat, dhe plot 78 për qind mbajtje topi.
Ishullorëve u mjaftuan vetëm dy goditje, që të dyja në portë.
Në mungesë të Dushan Vlahoviçit të dëmtuar, David nuk po mundet ta mbajë barrën plotësisht, as Jildiz apo Mekkeni, ndërsa trajneri Spaleti pati kritika për Edon Zhegrovën e Konseisaon, që sipas tij nuk ishin të kthjellët.
“Spaleti, çfarë grushti, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – një goditje fatale! Kaljari realizon diçka të madhe, fiton 1-0! Maciteli hedh tuç Juventusin!”
Ja edhe e përditshmja torineze, “Tutosport”: Të hedhur nokaut në Kaljari, 1-0! Juve, duhet menjëherë Mateta! Një gol I bukur na ndëshkon për rastet e humbura!”
Zhan Filip Mateta është sulmues francez 28-vjeçar që luan për Kristël Palasin në Angli, e që ka shënuar 8 gola deri tani në Premier Ligë. Juventus ka mbetur 10 pikë prapa kreut të Serisë A që mbahet nga Interi.


