Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

“Katër herë në tualet, në të pestën u arratis”/ Detaje nga dosja hetimore e Ndocit, polici që e ndoqi qëlloi për ta trembur

schedule13:19 - 17 Janar, 2026

schedule 13:19 - 17 Janar, 2026

Gjykata e Durrësit ka lënë në qeli ish-zv.shefin e Policisë së Burgut të Durrësit, Dezdemon Pazajn, si dhe dy prej efektivëve Sali Ferrollarin e Fation Baçin, që kanë shoqëruar Altin Ndocin për në spitalin e Durrësit ditën e arratisjes. Pavarësisht se Organi i Akuzës kërkoi burg për të 8 të arrestuarit, togat e zeza vendosën të lirojnë nga qelia 3 efektivët e tjerë të grupit të shoqërimit, Aranit Çela, Preng Marvataj dhe Dorjan Saraçi, për të cilët caktoi masën “detyrim paraqitjeje”. Ndërkohë, për kryeinfermierin e burgut, Aulon Çuko, dhe për punonjësen e burgut, Violeta Uka, Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit rezulton se më datë 13 janar kryeinfermieri Aulon Çuko ka hartuar një rekomandim për 4 të burgosur, mes të cilëve edhe për Altin Ndocin, të cilët kishin shfaqur probleme shëndetësore. Por mjekja Ylfete Sema nuk ka kryer kontrolle shëndetësore për Altin Ndocin, por me të dhënat që ka dhënë Aulon Çuko ka rekomanduar një konsultë me një mjek kirurg në spitalin e Durrësit. Pasi kanë bërë shoqërimin e Altin Ndocit për në spitalin e Durrësit, sipas hetimeve, Altin Ndoci ka shfaqur shqetësime për dhimbjen e veshkave edhe në ambulancë. Për këtë shkak, atij i janë hequr prangat nga grupi i shoqërimit.

Në dosjen hetimore, Prokuroria e Durrësit thotë se pasi Altin Ndoci është futur në ambientet e brendshme të spitalit të Durrësit, ai është lënë nën ruajtjen e dy inspektorëve, Sali Ferrollari dhe Fation Baçi. Gjatë kësaj kohe, Altin Ndoci është ankuar vazhdimisht për dhimbjen e veshkave dhe është shoqëruar 4 herë për në tualet. Herën e 5-të, sapo është hapur zgara e hekurit për të shkuar në tualet, Altin Ndoci ka goditur Fation Baçin, i cili është rrëzuar dhe ka rënë sipër Sali Ferrollarit, duke u rrëzuar të dy në tokë.



Hetuesit kanë dyshime se është kryer shkelje që në mbërritjen në spital, ku Altin Ndoci është lënë i paprangosur, ndërsa pas futjes në spitalin e Durrësit ai është lënë në ruajtjen e vetëm dy efektivëve dhe jo 3, siç është edhe minimalja e kërkuar.

Ndërkohë, për drejtorin e Burgut, Indrit Cerloj, po ashtu i arrestuar, sipas hetimit, ai ka miratuar në kundërshtim me ligjin urdhrin për shoqërimin e Altin Ndocit në spitalin e Durrësit, pa bërë asnjë verifikim për vizitën që ai kishte bërë më parë te mjekja Ylfete Sema, por edhe nuk ka bërë asnjë kontroll për shoqërimin e Altin Ndocit në spital.

Për këtë ngjarje, vijojnë të jenë të arrestuar ish-drejtori i Burgut, Indrit Cerloj, i dyshuar për shpërdorim të detyrës, si dhe Ylfete Sema, e cila kishte rekomanduar vizitën e Ndocit në spital. Ata pritet që të dalin të hënën para gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!