Nuk u kursyen aspak.
Barcelona nuk ndoqi shembullin e Realit në Kupën e Mbretit, luajti me yjet dhe arriti kualifikimin.
Vetëm koha do ta tregojë nëse trajneri Hansi Flik bëri gjënë e duhur, veçse fakt është se tekniku gjerman pati titullarë në ndeshjen në Santander shumicën e lojtarëve më të mirë.
Lamin Jamal, Ferran Torres, Olmo, Kubarsi, Balde, Kunde dhe portieri Zhoan Garsia.
Pas pushimit hynë edhe Pedri, Levandovski apo Rafinja.
Katalanasit e patën tepër të vështirë, edhe pse zotëruan lojën, mbajtën topin 74 për qind dhe bënë shumë më tepër gjuajtje sesa Rasingu vendas.
Gjithsesi, epërsia ishte vetëm 1-0 deri në sekondat e fundit.
Ferran Torres kaloi “blaugranët” në epërsi në 66’, ndërsa Santanderit iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje.
Barça u shpëtua nga portieri Garsia në fund, ndërsa Lamin Jamal më pas mbylli llogaritë.
U siguruan çerekfinalet e Kupës së Mbretit, dhe skuadra e Hansi Flikut është në garë për të gjitha trofetë e sezonit.
Është favorite thuajse për gjithçka, por jo në Champions ku është paraqitur dobët deri tani.


