Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ambasada e SHBA në Tiranë: Nuk preken vizat turistike. Ndryshim politik për emigracionin e përhershëm

schedule11:00 - 15 Janar, 2026

schedule 11:00 - 15 Janar, 2026

Një ditë pas vendimit të DASH për ngrirjen e vizave të emigrimit për 75 vende, Ambasada Amerikanë në Tiranë, ka sqaruar se pezullimi nuk prek vizat turistike por vjen si pasojë e ndryshimit të politikës së emigracionit nga administrata Trump për ato qytetarë që kërkojnë qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave ,rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në SHBA dhe të mos konsiderohen barrë publike”, njofton Ambasada Amerikane.

Ambasada Amerikane sqaron se vizat emigruese që janë dhënë deri tani nuk tërhiqen. Por duke filluar nga 21 janari, aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura, përfshirë Shqipërinë, mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista por asnjë vizë nuk do lëshohet gjatë periudhës së pezullimit.



Pak më herët ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtmë, Elisa Spiropali, që nga treni për në Kiev, pohoi të njëjtën gjë.

“Vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën. Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit. Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor”, tha Spiropali.

Ministrja e jashtme kritikoi opozitën për keqpërdorimin që i bëri këtij vendimi të departamentit të shtetit për interesa politike te sajat dhe theksoi se Shqipëria dhe SHBA mbeten aleate shume të afërta me njëra-tjetrën

“Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme! Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”, shtoi Spiropali.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!