Kartoni i tij sot vlen 2.5 milionë euro. Besohet se është i nënvleftësuar një yll si Arbër Hoxha, për të cilin Dinamo e Zagrebit do të kërkojë shumë më tepër, ndërsa ka nisur interesimi I klubeve jashtë Kroacisë.
Nga Turqia bëjnë të ditur se gjigandi i Stambollit, Gallatasaraj, e ka shqiptarin në listën e tij të dëshirave dhe flitet për një klub që nuk kursen. Pasi shpenzoi 10 milionë euro për Ikardin, e mund të bëjë çmenduri për Viktor Osimhenin, Gallata është gati për aventura të tjera.
Dinamo ndërkaq pagoi 1 milionë euro për Hoxhën kur e mori nga Sllaven Belupo, dhe ka pasur durim që ta presë derisa ylli kuqezi të arrinte nivelet që priteshin.
Kjo po ndodh këtë sezon, në të cilin shqiptari nga Kosova ka shënuar 6 gola e ka shërbyer 3 asistë në Ligën e Parë të Kroacisë, duke qenë një nga më të mirët te skuadra e kryeqytetit dhe në gjithë kampionatin.
Klubi nga Zagrebi është I qetë sepse Hoxha ka kontratë deri në 2029, pra është pozita të forta negociimi. Nuk dihet sesa do të kërkoheshin për kartonin e tij, ndonëse kjo do të varet nga numri i klubeve që do ta kërkonin, dhe nga këmbëngulja e tyre.
Dinamo ka rekordin e transferimeve 23 milionë euro për Marko Pjacën dhe 21 milionë për Luka Modriçin, Nuk pritet që ylli kuqezi të arrijë këto nivele, por padyshim që kryeqytetasit do të donin të fitonin disa fish më shumë sesa kanë shpenzuar, pra mund të kërkonin pa frikë 5 apo 6 milionë euro./abcnews.al


