Ndryshimet e forta klimatike vitet e fundit të cilat kanë shkaktuar përmbytje në dimër e zjarre në verë kanë bërë që të rriten fondet për emergjencat civile në buxhetin e shtetit. Nga të dhënat vërehet se
në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar një fond total prej 5.8 miliardë lekësh. Nëse e krahasojmë me një vit më parë rezulton se fondi është rritur me gati 2 mld lekë ose rreth 45% më shumë krahasuar me vitin 2025.
Në bazë të ligjit për emergjencat civile, detyrat e këtij institucioni janë të identifikojë, vlerësojë dëmet që shkaktohen nga fatkeqësi natyrore si tërmete, përmbytje, zjarre apo rrëshqitje toke.
Në zbatim të buxhetit për vitin 2026, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh në formën e transfertës së kushtëzuar për pushtetin vendor, i cili ndahet 500 milionë lekë për investime dhe 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur nga zjarret apo përmbytjet.
Po ashtu paralelisht me kete 1.5 miliard lekë parashikohet të përdoren për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa 300 milionë lekë janë dedikuar për projekte në digat dhe rezervuarët.
Autoritet kanë vendosur që fondet për emergjencat do ti ndahen pushtetit vendor në mënyrë që të mbështeten zonat me risk më të lartë nga fatkeqësitë natyrore.
Javën e fundit vendi u përfshi nga reshje të dendura shiu të cilat shkaktuan përmbytje në Durrës,Vlorë, Fier por edhe në veri konkretisht në Shkodër e Kurbin. Tashmë në terren ka nisur vlerësimi i dëmeve për të vendosur më pas edhe për kompensimin./abcnews.al


