Janë ndeshje që nuk i bëjnë mirë zemrës. Një Inter-Napoli ka qenë që nga koha e Omar Sivorit apo Diego Armando Maradonës, duel i emocioneve të forta në Itali, dhe përballja e Serisë A këtë fundjavë nuk zhgënjeu.
Përkundrazi. Dy kampionët e fundit të Italisë I dhanë jetë një spektakli në “San Siro” me përfundimin 2-2, me gola dhe polemika. Një rezultat që nuk ndryshon asgjë në garën për titull, dhe me napolitanët që nuk lejuan arratisjen e zikaltërve. Dimarko kaloi vendasit përpara në 9’, pastaj skocezi Tom Mektominai barazoi shpejt, që në 26’.
Pas pushimit, lombardëve iu dha penallti, vendim që shkaktoi shpërthimin e trajnerit të Napolit, Antonio Konte. I njohur për tipin tepër gjaknxehtë, tekniku u përplas me arbitrin e katërt dhe pastaj u përjashtua me karton të kuq.
Gjithsesi, edhe pa Konten në stol, ish-skuadra e Maradonës, e përballoi goditjen e penalltisë së shënuar nga Çalhanoglu. I shkëlqyeri Mektominai barazoi 9’ para fundit.
Interi vërtet bëri më shumë, 15 gjuajtje drejt portës ndaj vetëm 6 të miqve, por goditjet në kuadrat ishin thuajse të barabarta, ashtu si edhe zotërimi I topit.
Kapiteni I Kosovës, Amir Rrahmani, ishte sërish titullar dhe luajti deri në fund, si gjithmonë. “Të bukur dhe të fortë, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Barazim spektakël, Inter në avantazh dy herë, por në fushë është një Mektominai I madh!”
Ja edhe “Il Korriere delo Sport”: Shumë e bukur! Çfarë sfide për titullin! Emocione në “San Siro”, katër gola, penallti dhe polemika!” Interi kryeson Serinë A me 43 pikë, Milan e ndjek me 40 pas barazimit me Fiorentinën, ndërsa Napoli e Roma kanë nga 39 pikë./abcnews.al


