Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë të ujit në brendësi.
Uji është i pranishëm kryesisht në sipërfaqe të hapura bujqësore, duke prekur rreth 945 hektarë tokë, të shpërndarë kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit, Velipojë, Dajç dhe Bërdicë.
Strukturat përgjegjëse po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren, ndërsa furnizimi me energji elektrike, qarkullimi dhe operimi i hidrovoreve mbeten normalë. Nivelet e lumenjve, përfshirë Bunën dhe Drinin, janë larg kuotave kritike, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe infrastrukturës.


