Barazimi me Skënderbeun ka tërbuar presidentin e Kukësit, Safet Gjicin. Kreu i klubit verilindor priste fitoren e skuadrës së tij, që pësoi e para me korçarët dhe nuk ia doli ta përmbyste ndeshjen. Edhe me barazim, Kukësi u shpall kampion dimri.
Diferenca me Bylisin e vendit të dytë është vetëm një pikë, ndërsa Partizani e Tirana kanë nga tre më pak. Sikurse kuptohet, gara për titull është mjaft e ashpër dhe Gjici donte dje një fitore qetësie. Sigurisht edhe futbollistët dhe stafi teknik e dëshironin.
Në mbrëmje ata kishin planifikuar edhe një darkë festive. Barazimi me Skënderbeun ka bërë që presidenti Gjici të mos marrë pjesë, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News pranë klubit verilindor.
Lojtarët dhe stafi janë mbledhur dhe e kanë organizuar gjithçka me të ardhurat e tyre, edhe pse nga ana e klubit u ishte premtuar që do të merrnin edhe pagën e muajit nëntor.
Me humorin e keq që presidenti Gjici kishte dje, asnjë qindarkë nuk ka kaluar për futbollistët, që presin të paguhen këtë javë, para se të marrin disa ditë pushim për festat e fundvitit. / abcnews.al