Furia e Vjosës dy ditë më parë ka lënë pas shkatërrim. Thasë me rërë në oborret e shtëpive, inerte në anë të rrugëve dhe banorët që përpiqen të bëjnë sërish të banueshme shtëpitë e tyre.
Në një nga rrugët e Ferrasit, Pëllumb Tetenaj 84 vjeç, një ish-zetorist qëndron i vetëm në të ftohtë, në hyrje të banesës së tij.
“Pres nipin … të më pastrojë të paktën kuzhinën… kam fjetur të kunati.. Kam fjetur në makinë … kjo përmbytje ishte e madhe”, tha ai.
Përtej shkatërrimit të orendive dhe pajisjeve, përmbytja e 8 Janarit ka lënë pas edhe tronditje të thellë psikologjike. Flora Sulejmani, rrëfen tmerrin që përjetoi, me bashkëshortin invalid, teksa në pak minuta uji vërshoi brenda shtëpisë. Nuk kishte kohë as të merrte telefonin, ndaj kërkoi ndihmë duke fikur dhe ndezur një elektrik dore.
Pajisjet dhe orenditë shtëpiake janë dëmtuar tërësisht, në banesat një katëshe. Pjesa më e madhe e tyre janë blerë te reja, pas përmbytjeve të vitit 2017.
Në terren ndodhen automjete dhe efektivë zjarrfikës për pastrimin e baltës nga banesat e përmbytura.
Në Ferras gjatë vërshimeve të Vjosës u përmbytën 75 banesa, disa banesa të tjera u përmbytën në Çerven dhe Kashisht. Në Rromës të Mallakastrës u evakuua një familje pas daljes së Vjosës nga shtrati. Gjithsej në këtë përmbytje nga Vjosa, u evakuuan 7 familje, pjesa më e madhe në Ferras.
Dëmet nga përmbytjet po inventarizohen nga komisionet e verifikimit. Bilanci paraprak i përmbytjeve flet për mbi 700 ha tokë bujqësore nën ujë dhe afërsisht 100 shtëpi të përmbytura në Ferras, Çerven, Kashisht, Adë dhe Rromës.


