Nga janari, jo vetëm femrat, por, edhe meshkujt e moshës 13 vjeçare po aplikojnë vaksinën kundër Human Papilloma Virus. Ky virus njihet për shkaktarin e kancerit të qafës së mitrës tek vajzat dhe gratë, por, nuk duhet të harrojmë që edhe meshkujt janë bartës dhe transmetues të këtij virusi, i cili kalohet nga njëri tek tjetri nëpërmjet kontaktit seksual, duke shkaktuar disa lloje të kancerit të lidhura me HPV-në.
“Papiloma virus është e dëmshme jo vetëm te vajza, por dhe te djemtë. Të djemtë shkakton probleme serioze duke shkaktuar në disa raste kancer të organeve gjenitale, një organ të traktit urogenital, kancer të faringit, domethënë dhe ata kanë shumë pasoja nga Human Papiloma virus”, tha Rovena Daja, Epidemiologe, ISHP.
Vaksina është fare e lehtë për tu gjendur, merret falas në çdo Qendër Shëndetësore. Sipas epidemiologes, Rovena Daja, prindërit janë informuar përmes fushatave sensibilizuese, por edhe në mënyrë direkte.
“Ne kemi të regjistruar të gjithë fëmijët që janë aktualisht deri në moshën 20 vjeç dhe numrat e telefonit të njërit prej prindërve shkon mesazhi në telefon ku informohet paraprakisht që fëmija juaj duhet të aplikojë aktualisht vaksinën ndaj HPV-së e cila aplikohet në moshën 13 vjeç dhe ky mesazh ju shkon prindërve si për djemtë ashtu edhe për vajzat”, shtoi epidemiologia.
Dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që këtë vit mbushin 13 vjeç janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Prej 4 vitesh në vend po aplikohet vaksina kundër HPV-së me detyrim tek vajzat e moshës 13 vjeçe, dhe sipas Institutit të Shëndetit Publik, janë vaksinuar në total rreth 46 mijë vajza kundër Human Papilloma Virus.


