Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me Prefektin, Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbyjtja. Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.
“Jemi në Vadardh në Njësinë Administrative Sukth, ku aktualisht ka filluar plani i evakuimit. Të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbyjtja.
Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të aramatosura.
Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident.
Edhe një thirrje për të gjithë qytetarët, të presin në banesat e tyre, të mos bëjnë lëvizje të pakontrolluara dhe të mos dalin apo të lënë banesën vetë. Në çdo derë do të trokasin stafet e emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura, të cilët do t’i udhëzojnë dhe do t’i transportojnë në zona të sigurta. Ju lutem është shumë e rëndësishme në këto momente të ruajmë qetësinë!” tha ajo.


