Sopranoja Ana Naqe, e cila prej vitesh jeton në Belgjikë, rikthehet me një tur në Shqipëri. Në studion e ‘Pas Mesnatë’, ajo shprehet se e do shumë muzikën shqiptare. Për të, emocioni më i fortë artistik ka qenë momenti kur iu dedikua një vepër e re operistike.
“Është emocionuese t’i japësh zë Ema Bovarisë”, rrëfen ajo. Opera e parë e bazuar në kryeveprën e Gustave Flaubert, e kompozuar nga Harold Noben, u shkrua enkas për të, me mbështetjen e Teatrit Mbretëror “La Monnaie” në Bruksel, i cili akordoi 50 mijë euro për krijimin e veprës. Një nder i rrallë dhe një përgjegjësi e madhe.
Ema Bovari, figura tragjike e çmendurisë në emër të dashurisë, duket se gjen një pasqyrim të brendshëm tek vetë artistja. “Çmenduria në emër të dashurisë është një temë që nuk njeh kohë”, thotë Ana, duke shtuar se arti shpesh kërkon të jetosh në kufijtë e emocioneve ekstreme.
Jeta e saj personale ka qenë po aq dramatike sa rolet që interpreton. Ajo flet hapur për jetën mes dy dashurive dhe zgjedhjeve të pamundura. Një nga vendimet më të vështira ka qenë braktisja e violinës për t’iu përkushtuar kantos.
“Nuk ishte një zgjedhje e lehtë”, pranon ajo. Por rruga e operës rezultoi ajo që i dha identitetin e vërtetë artistik dhe e çoi drejt skenave më të mëdha, përfshirë Operën e Belgjikës, ku sot konsiderohet një nga zërat më të veçantë.
“Kritika është ‘kamxhik’”, thotë Ana Naqe, duke folur për standardet e larta në “La Monnaie”, teatër i cili është shpallur më i miri për vitin 2025. Megjithatë, drama më e madhe për një këngëtare opere mbetet e padukshme për publikun: “Tradhtia e kordave zanore është frika ime më e madhe”, rrëfen ajo. Një instrument i brishtë, nga i cili varet gjithçka – karriera, identiteti dhe jeta artistike./abcnews.al


