Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço deklaroi në edicionin “Ora e Fundit” se iniciativa e SHBA mbi një platformë për Ballkanin është ende në fazën e prezantimit dhe pritet të kalojë në komitetet përkatëse, Kongres dhe Senat, përpara se të nënshkruhet nga presidenti Trump.
Sipas tij, kjo lëvizje vjen në kuadër të zhvillimeve gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë, ku SHBA e sheh Ballkanin si një rajon vulnerabël ndaj ndikimit rus. Karamuço theksoi se synimi është dhënia e një shtyse ekonomike dhe parandalimi i afrimit të vendeve të rajonit me Rusinë dhe Kinën. Sipas Karamuços, SHBA ndjek nga afër situatën në vend, mban shënime dhe reagon përmes instrumenteve vendimmarrëse.
“Është ende në fazën e prezantimit si një projekt, ku do të kalojë në komitetet përkatëse, ku do të kalojë në Kongres. Pas miratimit në Kongres do të kalojë në Senat, dhe më pas do të nënshkruhet nga Trump. E shoh në kuadër të lëvizjeve gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë, ku SHBA e sheh Ballkanin shumë vulnerabël ndaj ndikimit rus.
Po bëhet me ligj sepse këto 6 pika shoqërohen me faturë financiare për t’u fuqizuar më shumë dhe për të sjellë asistencën që deri tani ishte e vepruar, e fonde, por jo me ligj të mirëfilltë. Synojnë të forcojnë institucionet, të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit dhe t’i japin një shtysë ekonomisë. Kjo shihet si forcimi i shteteve që të mos shkasin drejt Rusisë dhe Kinës.
Për një komponent si lufta kundër korrupsionit dhe krimit, Dumani ka marrë çmimet e nderimit dhe është pyetur në Bruksel mbi situatën. SHBA nuk është dëgjues i thjeshtë, por mban shënime dhe bën referime në organet vendimmarrëse. Ka një rol mbi situatën dhe atë që lexojnë ata dhe sesi reagojnë përmes instrumenteve.” / abcnews.al /

